Në mesin e rritjes së shqetësimeve ndërkombëtare mbi një incident të mundshëm bërthamor, ekipi i inspektorëve të OKB-së u nis drejt centralit atomik të Zaporizhjas në jug të Ukrainës, pavarësisht rrezikut që paraqet në këtë situatë një rrugëtim i tillë.
Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, Rafael Grossi, tha se shpreson që agjencia të krijojë një mision të përhershëm në Ukrainë për të monitoruar centralin e Zaporizhjas, që është më i madhi në Europë. Ai shtoi se ekspertët nuk do të zbrapsen nga sulmet e artilerisë, që rinisën këtë mëngjes në zonë.
“Jemi të ndërgjegjshëm për situatën. Ka pasur një shtim të aktiviteti ushtarak vetëm pak minuta më parë. U informova nga komandanti ushtarak ukrainas këtu për rrezikun, por i kemi peshuar të gjithë argumentet pro dhe kundër: nuk do të ndalemi, do të vazhdojmë misionin tonë”, u shpreh kreu i IAEA-së, Rafael Grossi.
Grossi shtoi se ekipi do të qëndrojë atje për disa ditë dhe do të raportojë kur misioni të ketë përfunduar. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ky inspektim është “ndoshta një prej prioriteteve kryesore sa i përket pyetjeve për sigurinë e Ukrainës dhe botës sot”.
Zelensky përsëriti thirrjen e Kievit ndaj komunitetit ndërkombëtar për “çarmatosjen e menjëhershme të centralit”, i cili është vënë nën kontrollin e forcave ruse në ditët e para të pushtimit. Ai, po ashtu, kërkoi që kontrolli i plotë i kompleksit t’i kthehet Ukrainës, ndërsa insiston mbi rrezikun e një katastrofe atomike për shkak të veprimeve ruse pranë këtij centrali. Javët e fundit ka pasur mjaft bombardime pranë reaktorëve të Zaporizhjas. Dy ditë më parë, ushtria ukrainase tha se Rusia ka kryer sulme me take, raketa dhe artileri përgjatë linjës së kontaktit në këtë rajon.
Top Channel