Ashtu sikurse kishte parlajmëruar Ilir Meta kallëzoi penalisht 5 anëtarët e Autoritetit të Dosjeve për falsifikim të dokumentave shtetërorë dhe shpërdorim detyre.
6 janë akuzat e ngritura në padinë e Metës, i cili kërkon që ndaj anëtarëve të Autoritetit për Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit të merret masa pezullim nga detyra.
Ilir Meta akuzon drejtuesit e Autoritetit të Dosjeve se janë kthyer në vegla në shërbim të Edi Ramës, ndaj i kërkon drejtësisë hetim të plotë dhe të pavarur.
Ajo që bie në sy në dokumentin e dorëzuar në gjykatë është se Meta ka vendosur të firmosë me mbiemrin Metaj dhe jo Meta padinë, ndryshe nga sa ka vepruar me dekretetet kur mbante postin e Presidentit apo shkresa të tjera që ka hedhur firmën gjatë karrierës së tij politike.
Kallëzimi i ish-presidentit vjen pasi Autoriteti i Dosjeve nxori inicialet I.M., e një politikani të niveli të lartë si ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Meta tha se institucioni i Autoritetit po përdoret në mënyrë kriminale në interes të Edi Ramës.
Një muaj më parë, politikani sfidoi Autoritetin e Dosjeve të bëjë publike dokumentet ndërsa duke u kthyer pas në të shkuarën e tij, kujtoi se në Fakultetin Ekonomik ku ai ka kryer studimet ishin me dhjetëra studentë me të njëjtat iniciale, madje edhe një shoku tij i klasës kishte të njëjtin emër dhe mbiemër. Ilir Meta e cilësoi lojë politike, ndërsa sulmoi ashpër autoritetin e dosjeve duke e akuzuar për falsifikim të dokumenteve, pasi sipas tij prej vitit 92 ai është nënshtruar të gjitha verifikimeve dhe e shkuara e tij ka dal e pastër.
Ndërsa këtë fillim shtatori, kreu i PL-së ka ndërmarrë veprime konkrete me kallëzimin në SPAK të anëtarëve të Autoritetit, Gentiana Sula, Albeert Nikolla, Altin Hoxha, Gjergj Marku dhe Skënder Vrioni.
Top Channel