Ministrat e Financave nga grupi i shtatë i vendeve më të industrializuar do të diskutojnë kufirin e çmimit të naftës ruse, propozuar nga administrata e presidentit Biden kur të takohen të premten, tha Shtëpia e Bardhë.
Udhëheqësit e G7-ës po diskutojnë si të krijojnë një kufi të tillë çmimi dhe kanë konsideruar alternativa të tjera, duke përfshirë bllokimin e transportit të naftës ruse.
G7-a përbëhet nga Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara.
Shumë vende kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë pas agresionit të saj në Ukrainë, të cilin Moska e quan një “operacion special ushtarak”, por konsumatorët kryesorë të naftës, Kina dhe India kanë rritur importet e fuçive ruse me çmime të ulta, në nivele rekord.
Pavarësisht se eksportet e naftës ruse arritën nivelet e tyre më të ulëta që nga gushti i kaluar, të ardhurat e saj nga eksporti në qershor u rritën me 700 milionë dollarë nga muaji në muaj për shkak të çmimeve më të larta, 40% mbi mesataren e vitit të kaluar, tha Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë muajin e kaluar.
Udhëheqësit perëndimorë kanë propozuar zgjidhjen e kësaj përmes një kufiri të çmimit të naftës për të kufizuar atë që tregtarët dhe rafineritë mund të paguajnë për naftën bruto ruse – një masë që Moska thotë se nuk do t’i përmbahet dhe mund ta pengojë duke dërguar naftë në shtetet që nuk i binden tavanit të çmimit.
Disa tregtarë dhe analistë të tregut të naftës kanë shprehur dyshime se një kufi i çmimit do të funksiononte pasi Rusia ka gjetur mënyra për të dërguar naftën e saj në Azi pa përdorur siguracionin e anijeve nga perëndimi. Moska gjithashtu mund të ndalojë eksportet e një pjese të naftës krejtësisht, duke çuar në një rritje të mëtejshme të çmimeve të energjisë.
Top Channel