Sesioni i ri parlamentar i gjen demokratët të ndarë. Sali Berisha ia doli të merrte partinë, por dështoi të bashkonte organin më të rëndësishëm të saj, grupin parlamentar, zemra e aksionit ligjor dhe institucional të partisë.
Në prag të sesionit të ri vjeshtor që nis me 5 shtator, dy grupimet brenda Partisë Demokratike janë të shqetësuara për peshën e drejtimit të aksionit në Parlament. Në një darkë informale të zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës grupimi që nuk mbështet linjën e Sali Berishës konfirmuan Enkelejd Alibeajn si kryetar të grupit Kuvendor.
Konfirmimi i Alibeajt u pagëzua dhe me një vendim kundër grupimit Berisha duke duke larguar deputeten Sorina Koti nga pozicioni i nënkryetares në Komisonin e Ekonomisë për qëndrimet e saj pro foltores.
Por, Enkelejd Alibeaj edhe pse ka “bekimin” e kolegëve demokratë sërish nuk e gëzon shumicën e grupit, pasi vetëm 20 deputetë shkuan në takimin e thirrur, ndërsa 8 prej tyre mësohet se i kanë dhënë mbështetje vetëm virtuale kryetarit të grupit Kuvendor.
Mes tyre edhe Lulzim Basha i cili prej dorëheqjes nga posti i kryetarit nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje të thirrur nga Alibeaj dhe mbështetësit e tij. Por, mbrëmë demokratët hodhën hapin e parë të afrimit me ish kryetarin duke e ftuar fillimisht të afrohet me pjesën tjetër të grupit për të marrë pjesë fizikisht në mbledhjet e tij. Mesa duket furtuna e paralajmëruar nga kampi opozitar në vjeshtë dhe zhvillimet e reja të pritshme po nisin nga vetë opozita.
Sali Berisha ka caktuar kryetar grupit Luçiano Boçin në vend të Enkelejd Alibeajt dhe për këtë vendim pritet që të njoftojë shkresërisht edhe Kuvendin. As Berisha nuk e gëzon shumicën e grupit, por sot ai ka marr dy deputetë në grupin e tij. Njëri deri dje i lëkundur si Tomor Alizoti të cilin e caktoi drejtues politik në Berat, dhe tjetri deputet mbështetës i Bashës, Xhalal Mziu që vendosi të joshë më drejtimin politik te Dibrës.
Top Channel