Pas më tepër se 3 vitesh e gjysmë qeveria shqiptare e gjendur nën presionin e komunitetit sportiv dhe krizës financiare duket se ka vendosur të bëjë hapa pas në lidhje me bastet sportive.
Kryeministri i vendit nën praninë e disa ministrave të qeverisë së tij, ka thërritur edhe një herë në një dëgjesë publike tashmë, drejtuesit e federatave sportive, nga ai i futbollit Armand Duka, presidenti i KOKSH Fidel Ylli, dhe të gjitha federatave të tjera të cilat, në mungesë edhe të një ligji sponsorizimesh efikas, i kanë vetëm sytë nga shteti për ndihma financiare. Një presion pozitiz sic e quan kryeministri Rama që po detyron qeverinë e tij të rikthejë bastet sportive online.
“Ne nuk flasim këtu për hapje, por për marrjen e këtij aktiviteti nga duart e ekonomisë së zezë dhe nxjerrjen e këtyre përfitimeve në dritë sepse në të gjitha rastet, duket qartë dhe asnjë eksperiencë, as Kina, nuk arrin dot ta ndalë. Ajo që vlen këtu është reflektimi se si mund ta ndihmojnë ne sportin më shumë.”
Kryeministri Rama ka pranuar edhe publikisht pamundësinë e ndalimit të këtij aktiviteti i cili jo në një rast është i lidhur me persona me profile kriminale.
“Krijimi i një kanali përfitimesh jashtë kanalit përfitimesh jashtë kanalit legal dhe për vajtjen e përfitimeve në portofole të zeza individësh që në më shumë se një rast kanë edhe profil kriminal në vend që të shkojnë tek shteti.”
Lidhjet kriminale dhe operacionet e shumta me qindra të ndaluar në këto tre vite i konfirmoi edhe drejtori i komanduar policisë së shtetit Tonin Vocaj, që gjithësesi nuk mjaftuan për ta ndaluar këtë aktivitet.
“Policia e shtetit në mënyrë të vazhdueshme ka analizuar, studiuar situatën kriminale në këtë drejtim dhe mbi bazën e informacioneve të grumbulluara për ushtrimin dhe organizimin e basteve sportive pa leje, u zbulua dhe diktua aktiviteti kriminal i një rrjeti të gjerë në këtë fushë në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Berat Korcë dhe Shkodër.”
Kjo histori duket do të marrë fund shumë shpejt, kur një projekt i detajuar, siç përmendi kryeministri Rama, do të jetë i dedikuar për sportin dhe kulturën.
“Do të kalojë në parlament me destinacion të qartë për sportin dhe kulturën dhe për asgjë tjetër. Nuk do të përdoren se kemi një përmbytje këtu apo na duhen për dicka tjetër, këto para ne nuk i kemi. Sa më shumë të rinj, vajza djem kalamaj të inspirojmë që të merren me sport ne aq më shumë kemi bërë për të ulur kostot e shëndetësisë, edhe për të ulur kostot e policisë dhe do të kemi fëmijë më social.”
Top Channel