Zona e “Mylsym Shyrit” në kryeqytet është tronditur këtë të martë pasdite, kur biznesmeni Arsen Muskurti ka vrarë me armë zjarri vëllanë dhe kunatën e tij.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në ambientet e një lokali.
Sipas gazetares së Top Channel, Dorjana Bezat, konflikti mbi pronën dyshohet të jetë shkaku që shtyu Arsen Muskurtin (që mban dhe emrin Hamza Kastrati) të vrasë vëllanë 44-vjeçar dhe kunatën.
Dy vëllezërit kanë qenë bashkëpronarë të një agjencie turistike, por në vitin 2018 biznesi kaloi në pronësi të viktimës.
Dy vëllezërit dyshohet se janë konfliktuar në zonën e “Myslym Shyrit”, në rrugën “Islam Alla”, dhe debati ka degraduar në përdorimin e armës.
FNSH dhe Renea kanë arritur të kapin autorin e vrasjes së çiftit Dritan dhe Nora Muskurti në zonën e “5 Majit” pas dy orësh kërkime, ndërsa ishte i armatosur.
Dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes kanë qenë shumë banorë të zonës dhe kalimtarë të rastit.
Kjo vrasje e dyfishtë është e dyta në harkun e pak orëve. Natën e kaluar në Lezhë, Besnik Pjetri vrau ish-kunatin Gent Përjaku dhe ish-vjehrrin Pjeter Përjakun. Vrasja ndodhi në fshatin Grykë Zezë të Lezhës pas një konflikti që erdhi pas divorcit të Besnik Pjetrit me vajzën e familjes Përjaku.
Me këto ngjarje rritet më tej bilanci i vrasjeve. Vetëm gjatë kësaj vere 29 persona janë vrarë, duke vënë në pikëpyetje sigurinë për jetën në vendin tonë.
Top Channel