Qyteti jugor i Kinës, Shenzhen mbylli tregun më të madh të elektronikës në botë dhe pezulloi transportin publik aty pranë, në përgjigje të infektimeve nga Covid.
Huaqiangbei është një zonë tregtare me mijëra vende që shesin komponentë kompjuteri, pjesë të telefonit celular dhe mikroçipa.
Ky mbetet ndër tre lagjet e vendosura nën një bllokim të detyrueshëm katër-ditor në rrethin Futian, ndërsa banorëve u ndalohet të dalin nga shtëpitë e tyre, përveç personave që testohen nëse janë të infektuar me koronavirus.
Të gjitha bizneset në zonat e prekura janë mbyllur deri të enjten, me përjashtim të supermarketeve, farmacive dhe spitaleve. Ngrënia në restorant është gjithashtu e pezulluar, deri në një vendim të dytë.
Kina është një nga vendet e pakta në botë që ende zbaton masa të rrepta për parandalimin e përhapjes së Covid.
Tashmë të gjithë njerëzit po përballen me testime masive, karantina të gjera dhe bllokime të menjëhershme.
Të martën, Shenzhen, një qendër ndërkombëtare e teknologjisë me 18 milionë njerëz, raportoi vetëm 35 infeksione, përfshirë 11 raste asimptomatike.
Në të gjithë Shenzhen dhjetëra lagje janë të identifikuara si “zona me rrezik të lartë” dhe të vendosura nën urdhra të rreptë bllokimi.
Videot e shpërndara nga banorët në mediat sociale tregojnë barriera metalike disa me tela me gjemba, të ngritura jashtë ndërtesave të banimit, për të bllokuar banorët të largohen.
Si[pas CNN rrethet e Luohu dhe Longgang mbyllën gjithashtu të gjitha vendet argëtuese dhe parqet publike dhe ndaluan tubimet nga konferencat dhe shfaqjet deri te vallëzimet në shesh.
Autoritetet pezulluan gjithashtu shërbimin në 24 stacione metroje dhe qindra stacione autobusësh në të gjithë Shenzhen, duke përfshirë edhe tregun e elektronikës Huaqiangbei.
“Periudha e ardhshme do të jetë periudha më stresuese, me rrezik të lartë dhe të zymtë për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë në qytetin tonë”, tha një zyrtar i Shenzhen në konferencën për shtyp.
Top Channel