Duket se në bllokun europian është parë me shqetësim projekti i qeverisë shqiptare për dhënien e shtetësisë të huajve që mund të investojnë në vend.

Këtë e tregojnë qartë komentet e zëdhënëses se Komisionit Europian, Ana Pisonero-Hernandez për DW , e cila ka rreshtuar rreziqet potenciale të zbatimit të nismës së të ashtëquajturave “pasaporta të arta”.

Ana Pisonero-Hernandez, zëdhënëse e KE-së: BE-ja respekton të drejtën e vendeve sovrane për të vendosur mbi mënyrën e dhënies së shtetësisë. Në të njëjtën kohë, konteksti aktual i agresionit rus kundër Ukrainës, nxjerr më tej në pah, rreziqet që  paraqesin skemat e shtetësisë për investitorët e huaj  dhe nevojën e hapave të menjëhershme. Këto janë programe që ofrojnë shtetësinë në këmbim të një pagese ose investimi të paracaktuar dhe pa një lidhje reale me vendin në fjalë. Rreziqet përfshijnë infiltrimin e krimit të organizuar, pastrimin e parave, evazionin fiskal dhe korrupsionin nëpërmjet aplikantëve të mundshëm nga vendet e treta.

Skema të tilla konsiderohen nga Brukseli si në shkelje të ligjit të BE-së, madje që në 2020-tën kanë nisur procedura kundër shteteve anëtare që e kanë shkelur këtë ligj. Për shkak të perspektivës së shtetësisë së ardhshme të BE-së, kombësia e vendeve kandidate mund të bëhet gjithnjë e më tërheqëse për investitorët.

“BE-ja po monitoron, në kuadrin e procesit të anëtarësimit në BE, çdo plan nga vendet kandidate për të futur skemat e shtetësisë. Aktualisht jemi duke përgatitur raportet e ardhshme vjetore të paketës së zgjerimit, që pritet të prezantohen në tetor”.

E pyetur dhe në lidhje me incidentet e Gramshit dhe Policanit, zëdhënësja tha se po e ndjekin situatën dhe presin një hetim të plotë nga autoritetet përkatëse shqiptare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA