Exclusive/ Ligji kundër spiunëve! Zbardhet drafti: Nuk kandidojnë dhe nuk drejtojnë parti politike

30/08/2022 19:54

Grupi i  punës me jurist dhe deputetë të PS i  kanë dhënë dorën e fundit ndryshimeve në ligjin për dekriminalizimin ku kanë përfshirë edhe pastërtinë e figurës të kryetarëve të partive politike.

Gazetari Top Channel Muhamed Veliu  e disponon këtë draft i cili pritet të diskutohet fillimisht  të premten, në konferencën e kryetarëve e i hapur rrugë shqyrtimit në komisionet parlamentare.

Me ligjin aktual të dekriminalizimit nuk parashikohet asnjë filtër vetting-u për kryetarët e partisë por socialistët janë të vendosur ta ndryshojnë këtë.

Në nenin 1 të këtij ligji ku parashikohet qëllimi dhe objekti këtij ligji, me amendimin e propozuar përfshihen edhe partitë politike .

Nëse një kryetar aktual partie rezulton me një të shkuar kriminale apo me procese te hapura me drejtësinë dhe nëse ka  qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit, i  ndalohet drejtimi partisë.

“Qëllimi i këtij ligji është të garantojë mbrojtjen e parimeve demokratike sipas Rendit Kushtetues të Republikës së Shqipërisë, të besimit të publikut në funksionimin e partive politike dhe të organeve të zgjedhura shtetërore, institucioneve të pavarura dhe atyre të krijuara me ligj, të administratës publike, nëpërmjet pengimit të zgjedhjes në krye të partive politike ose të zgjedhjes a emërimit në organet shtetërore”.

Ndryshimi nenit tre ku parashikohet  “Ndalimi për t’u emëruar në një funksion publik” e rithekson ndalimin e kryetarëve të partive me  dosje bashkëpunimi në ish-Sigurimin e shtetit. Ndalimi ndodh.

1. Për veprat penale të parashikuara në pikën 1, të nenit 2, të këtij ligji, personi nuk mund të emërohet apo zgjidhet në funksionet publike, në organe kushtetuese apo të krijuara me ligj dhe kryetar partie politike.

Ndryshon edhe neni pesë për  mënyrën e “Vetë-deklarimi dhe verifikimi i të dhënave” .

Formulari i vetëdeklarimit dorëzohet dhe administrohet, sipas rastit:  pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të zgjedhurit dhe kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë apo për kandidatët për kryetar dhe kryetarët e partive politike apo për të zgjedhurit dhe kandidatët në organet e qeverisjes vendore.

Ndryshimet e socialistëve në ligjin e dekriminalizimit e zgjerojnë spektrin se kush e gëzon të drejtën për verifikimin e të dhënave. Kjo është shtesa e propozuar për nenin 7.

Për kryetarin e një partie politike, përveç subjekteve të përcaktuara në shkronjën “a” të këtij neni, të drejtën për të kërkuar verifikimin e gëzojnë edhe një e dhjeta e anëtarësisë së partisë, një e dhjeta e anëtarësisë së organit më të lartë vendimarrës, ose një e dhjeta e anëtarësisë së organit që, sipas statutit ushtron kompetencat zëvendësuese vendimarrëse në periudhën midis dy mbledhjeve të organit më të lartë vendimarrës, pavarësisht nga emërtimi statutor i tyre.”

Ndryshimet e tjera po në këtë ligj lidhen me ndalimin e kandidimit në poste publike apo ndërprerjen e mandatit nëse autoriteti dosje provon bashkëpunimin e zyrtarëve me ish sigurimin e shtetit.

 

 

 

 

 

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA