Raketa dhe artileri ruse goditën zonat përtej lumit Dnieper, pranë centralit më të madh bërthamor në Evropë, bënë të ditur të dielën zyrtarët ukrainas. Zhvillimet vijnë ndërsa është rritur frika se luftimet në afërsi të impiantit mund ta dëmtojnë atë, duke shkaktuar një rrjedhje radioaktive.
Forcat ruse morën kontrollin e centralit bërthamor Zaporizhia menjëherë pas fillimit të luftës dhe kanë gjithashtu kontrollin e territorit ngjitur, përgjatë bregut të majtë të lumit Dnieper. Ukraina kontrollon krahun e djathtë të tij, përfshirë qytetet Nikopol dhe Marhanets, secili prej tyre rreth 10 kilometra larg nga impianti.
Sulmet gjatë natës lanë pjesë të Nikopolit pa energji elektrike bëri të ditur guvernatori i rajonit Dnipropetrovsk Valentyn Reznichenko. Po kështu janë dëmtuar rreth 12 objekte banimi në Marhanets, sipas Yevhen Yevtushenko, kreut të administratës së rajonit, që përfshin qytetin me rreth 45,000 banorë.
Gjatë natës u sulmua edhe qyteti i Zaporizhias, rreth 40 kilometra nga centrali bërthamor, si pasojë u plagosën dy persona, tha anëtari i këshillit të qytetit Anatoliy Kurtev.
Në Ukrainën lindore, ku forcat ruse dhe separatiste po përpiqen të marrin kontrollin, sulmet me artileri goditën qytetet e mëdha e me rëndësi strategjike Kramatorsk dhe Sloviansk, por nuk u raportuan viktima, tha Pavlo Kyrylenko, guvernatori i rajonit Donetsk.
Pjesa më e madhe e rajonit të Donetskut kontrollohet nga forcat ruse dhe separatiste. Ai është një nga dy rajonet e Ukrainës që Rusia ka njohur si shtete sovrane.
Javën e kaluar autoritetet filluan shpërndarjen e tabletave të jodit për banorët që jetojnë pranë impiantit të Zaporizhias në rast të ekspozimit ndaj rrezatimit, i cili mund të shkaktojë probleme shëndetësore.
Pjesa më e madhe e shqetësimeve lidhet me sistemet e ftohjes të reaktorëve bërthamorë të centralit. Sistemet kërkojnë energji për të funksionuar. Të enjten centrali u shkëput përkohësisht nga rrjeti për shkak të dëmtimit nga zjarri të një linjë transmetimi. Një dështim i sistemit të ftohjes mund të shkaktojë një shkrirje bërthamore.
Forcat ruse morën kontrollin e centralit bërthamor në fillim të luftës, por funksionimi i tij kontrollohet nga personeli ukrainas. Kievi dhe Moska kanë akuzuar në mënyrë të përsëritur njëra-tjetrën për bombardimin e impiantit dhe zonave përreth, duke rritur frikën për një katastrofë të mundshme.
Agjencia e OKB-së për Energjinë Atomike po përgatitet të dërgojë një ekip për të inspektuar dhe ndihmuar në garantimin e sigurisë së centralit. Zyrtarët thanë se përgatitjet vazhdojnë pa dhënë detaje se kur pritet të zhvillohet vizita./ Zëri i Amerikës
Top Channel