Ish presidenti Ilir Meta, tashmë në krye të Partisë së Lirisë, një javë pasi u mësua se SPAK e ka vënë nën hetim për një lobim të pa-deklaruar prej 700.00 dollarës në SHBA, tha se askush nuk duhet të shqetësohet për mbiemrin e tij.
Ky qëndrim i zotit Meta vjen pasi SPAK ka kërkuar të dhëna nga drejtoria e gjendjes civile për gjeneralitetet e tij.
“Jam edhe do të jem gjithmonë Ilir Rexhep Metaj i lindur në 24 Mars në Çepan të Skraparit dhe nuk kam asnjë arsye jo vetëm që mos të jem krenar për emrin tim për mbiemrin tim”, tha Ilir Meta.
Ish presidenti nuk dha sqarime se përse gjatë pesë vite në krye të shtetit dekretet e firmosura janë me Ilir Meta dhe jo Ilir Metaj.
Petrit Vasilin një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Ilir Metës, thotë se shqetësimi për ndryshim emri apo mbiemri, duhet të shikohet tek kryeministri.
“Në vitin 2002 Edi Rama zyrtarisht ka ndërruar emrin nga Edvin Kristaq Rama në Edi Rama. I vetmi njeri që kemi në nivelet më të larta të politikës dhe me një problem shumë të madh formal dhe ligjor sepse është edhe objekt legjislacionit përvetësimi postit shtetëror përmes mashtrimit me gjeneralitetet është rasti më tipik që kemi Edi Ramën”, tha Petrit Vasili.
Top Channel