Një sasi lënde eksplozive shpërtheu në orët e para të mëngjesit të sotëm në Krujë.
Lënda plasëse u hodh mbi çatinë e shtëpisë së një 37-vjeccari në lagjen ”Borati” të Krujës duke shkaktuar dëme materiale dhe panik mes familjarëve tejet të tronditur nga ngjarja.
Sipas policisë vendore, persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë hedhur një sasi të vogël lënde plasëse mbi çatinë e shtëpisë së Altin Keqit.
Për pasojë e shpërthimit ka vetëm dëme të vogla materiale, ndërsa kanë nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe motivet e saj.
Keqi nuk njihet si person problematik në zonë dhe sipas deklaratave pas ngjarjes rezulton se nuk ka konflikte të hapura me ndokënd.
Paraprakisht dyshohet se ngjarja është produkt i një paralajmërimi ndaj tij për shkak të aktivitetit që ushtron në fushën e shërbimeve. Ai zotëron dy dyqane servisi për telefonat celularë, në Krujë dhe në Fushë Krujë.
Gjithsesi pritet që hetimet e mëtejshme të hedhin më shumë dritë mbi ngjarjen që tronditi familjen Keqi dhe banorët e zonës në Krujë.
Top Channel