Zelensky: Ukraina ka eksportuar mbi 1 milion ton drithëra

27/08/2022 10:31

Ukraina ka eksportuar mbi 1 milion ton produkte bujqësore përmes detit gjatë muajit të fundit, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Nisma për eksportin e drithërave po funksionon për pothuajse një muaj dhe gjatë kësaj periudhe, nga tri portet tona detare është eksportuar 1 milion ton”, tha Zelensky gjatë një adresimi në orët e vona të 26 gushtit.

Eksportet e drithërave përmes Detit të Zi u ndërprenë pak pasi Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.

Në korrik, Rusia dhe Ukraina arritën një marrëveshje për rinisjen e eksporteve. Marrëveshja u ndërmjetësua nga Kombet e Bashkuara.

Zelensky tha se qëkur ka hyrë në fuqi kjo marrëveshje, 44 anije janë larguar nga portet ukrainase dhe kanë dërguar produkte në 15 shtete të huaja.

“Qëllimi është që të arrihet sasia e eksporteve prej 3 milionë tonësh në muaj”, tha Zelensky.

“Këto eksporte janë shumë të rëndësishme për Afrikën, Azinë dhe Evropën”, shtoi ai.

Më herët gjatë këtij muaji, kreu i programit për ushqim në botë i OKB-së paralajmëroi se edhe pas rinisjes së eksporteve nga Ukraina “ne presim që kriza botërore me ushqim të zgjasë edhe për të paktën një vit”.

Ukraina dhe Rusia janë ndër eksportueset më të mëdha në botë të produkteve bujqësore. Ndalimi i eksporteve të drithërave ukrainase rriti çmimet globale në botë dhe rriti frikën se disa shtete do të përballen me uri./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA