Vuçiç: Mund të pranojmë dokumentet e Kosovës… por me kusht

27/08/2022 17:52

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha të shtunën se Beogradi mund të pranojë që qytetarët e Kosovës të lëvizin nëpër Serbi me dokumentet e tyre të identifikimit, por me një kusht, në vendkalimet kufitare duhet të vihet një shënim që shpjegon se kjo bëhet për arsye praktike dhe nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së Kosovës.

Në një konferencë me gazetarë në Beograd në të cilën shpalli se mandatin për postin e kryeministrit të Serbisë do ta marrë sërish Ana Bërnabiç, presidenti serb tha se kanë dështuar përpjekjet për një kompromis me Kosovën pas tensioneve që pasuan vendimin e qeverisë në Prishtinë që dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia, të mos vlejnë në territorin e Kosovës, një veprim që zbatohet nga Beogradi për qytetarët e Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi tash e dhjetë vjet me radhë.

Qeveria e Kosovës vendosi me kërkesën amerikane të shtyjë zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator.

Presidenti serb tha se Beogradi mund të pranojë dokumentet e Kosovës, por me kusht, ndërsa kërkon që serbët e Kosovës të përjashtohen nga vendimet e Prishtinës, raporton Zëri i Amerikës.

Pres një përgjigje nga shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell dhe i dërguari evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, që çdo serb që jeton në Leposaviç, Mitrovicë, Graçanicë mund të hyjë me dokumente të Serbisë dhe të largohet nga territori i Kosovës me ato dokumente”, tha ai.

Nuk pati ndonjë reagim të menjëhershëm rreth kësaj çështjeje të autoriteteve të Kosovës, që kanë paralajmëruar se më 1 shtator fillon zbatimi i reciprocitetit për përdorimin e dokumenteve dhe një afat dy muajsh për ndërrimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës.

Presidenti serb tha se çështja e targave është më e ndërlikuar sepse nuk ka marrëveshje për këtë që do t’u përshtatej shqiptarëve.

Ne ngulim këmbë se nuk duam të diskutojmë asgjë para formimit të Asociacionit të Komunave Serbe sepse, përderisa nuk e kemi problem t’i përmbushim marrëveshjet që janë nënshkruar, shqiptarët duhet gjithashtu t’i përmbushin ato. Pra, nëse doni të flisni për ndonjë gjë, Asociacioni i Komunave Serbe duhet të hidhet në tryezë”, tha presidenti serb.

Qeveria e Kosovës është shprehur kundër themelimit të një Asociacioni një etnik dhe me çfarëdo përgjegjësish ekzekutive. Një ditë më parë i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar nguli këmbë që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e deritashme me theks të veçantë në marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ai tha se ky mesazh u është bërë i qartë autoriteteve të Prishtinë që thonë se ka disa kufizime kushtetuese për zbatimin e tij. Escobar tha se Prishtina duhet të hedh një propozim për të.

Diplomati amerikan i cili bashkë më diplomatin evropian Lajçak qëndroi në Kosovë dhe Serbi në përpjekje për të gjetur një zgjidhje që do të shmangte tensionet në terren, tha se bisedimet janë mekanizmi nëpërmjet të cilit të dyja vendet mund të normalizojnë marrëdhëniet ndërmjet tyre dhe të hapin ardhmërinë evropiane.

Serbia i vetmi vend evropian që nuk i ka vënë sanksione Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, i ka shpallur integrimet si përparësi të saj por ruan lidhje të fuqishme me Moskën dhe Pekinin, që e mbështesin kundërshtimin e saj ndaj pavarësisë së Kosovës, të cilën e njohin Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore perëndimore.

Presidenti serb radhiti të shtunën Kosovën në mesin e shqetësimeve të mëdha për shkak të të cilave tha se ka vendosur të anulojë ose shtyjë parakalimin për të drejtat e homoseksualëve “Euro Pride” i planifikuar për 17 shtator.

“Nuk po e them sepse jam shumë i lumtur, po e them sepse nuk mundemi në këtë kohë kur e kemi edhe takimin e nismës Ballkani i Hapur dhe një krizë të rëndë në Kosovë që nuk do të mbarojë të paktën deri më 31 tetor, madje kam frikë se do të thellohet”, tha presidenti serb.

Partitë politike të ekstremit të djathtë dhe Kisha Ortodokse Serbe me ndikim e kanë dënuar ngjarjen, duke kërkuar që ajo të ndalohet. Qeveria serbe të cilën sërish do ta drejtojë një pjesëtare e komunitetit LGBT, ka ndaluar parakalimet e krenarisë në të kaluarën, duke nxitur kritika nga grupet e të drejtave të njeriut dhe Bashkimi Evropian.

Top Channel