I rritur në Itali, Henri është një i ri nga Elbasani, që ditë pas dite, që nga lindja sfidon pengesat që has në jetë, duke dëshmuar se me përkushtim dhe punë mund të arrish gjithçka dëshiron.
Çdo verë ai kthehet familjarisht për të punuar në plazhin e Durrësit ku e gjen mes çadrave dhe shezlongëve, duke ndihmuar pushuesit e mbajtur me kujdes pagesat ditore në një fletore.
“Është e lodhshme, po kemi vetëm 3 muaj verë dhe ia vlen të lodhesh për t’i shërbyer njerëzve”, thotë ai.
Me mbështetjen e familjes, Henri ka synuar gjithnjë të sfidojë veten dhe shoqërinë, duke kërkuar mundësi të barabarta. Studimet universitare për punë sociale në Elbasan kanë qenë një tjetër sfidë e mbyllur me sukses.
“Në fillim ishte e vështirë, po me kohën kuptova rëndësinë e njerëzve të tjerë në këtë proces dhe m’u duk më e lehtë. Më pranuan si të gjithë të tjerët.”
Gjuhët e huaja janë një tjetër synim për t’iu përgjigjur sa më mirë kërkesave të tregut të punës.
“Ia ka dalë shumë mirë. Edhe shkollën e mbaroi. Ne këtu po punojmë. Më mirë po ecën Henri se shqiptarët që punojnë këtu e që s’duan as të punojnë fare”, thotë motra e Henrit, Alesia.
Fundi i kësaj vere do e gjejë me një angazhim të ri. Të gjejë një vend pune. Nuk e fsheh dëshirën për të punuar në Shqipëri, por punësimin këtu e sheh plot pengesa.
” S’e besoj në Shqipëri, po nëse më ofrojnë një punë pse jo. Po këtu duhet të kesh miq, lekë…”
“Jashtë kam ikur që 1 vjeç për problemin tim shëndetësor, por Shqipëria është vendi im. Është shtëpia ime.”
I bindur se humanizmi, mbështetja dhe ndihma për njerëzit në nevojë e bëjnë botën më të mirë, Henri ka dhe një mesazh për çdo të ri me aftësi të kufizuara.
“Të kërkojnë të arsimohen, të punojnë dhe gjejnë rrugën e tyre në jetë”.
Top Channel