Rama i dorëzon Florian Markut medaljen ‘Ylli i Madh i Mirënjohjes’: Suksesi i tij është kuqezi, na nderon te gjithëve

27/08/2022 11:40

Një tjetër kampion i sportit shqiptar u nderua sot me një ceremoni të dedikuar në Sallën e Hartave, në Kryeministri.

Boksieri Florian Marku është fituesi i gjerdanit të madh, të kampionit të kategorisë sipërore WBC, pas një ndeshjeje prestigjoze në ringun e Air Albania, në Tiranë.

Suksesi i Florianit në ndeshjen e fitores  u duartrokit me emocion nga qytetarët, më së shumti të rinj e të reja, sportdashës dhe dëshmitarë të triumfit të tij në ringun botëror.

Kryeministri Edi Rama e nderoi sportistin me Kordonin e madh me Yll të Mirënjohjes Publike.

Edi Rama: Fati e deshi të mblidhemi dy herë brenda pak kohësh. Për Luiza Gegën dhe Florian Markun. Thanë se nderimi i Luiza Gegës ishte përpjeke për të marrë pjesë në suksesin e saj. Nuk është e vërtetë që Luiza ka vrapuar vetëm, pavarësisht se suksesi është i gjithë i saj.

Suksesi i Florianit është Kuqezi. Në aspektin ceremonial, ne e kemi bërë dallimin. Kemi nderuar Luizën me kordonin e madh, që është më I larti në shkallën e vlerësimeve që ju takon personaliteteve shumë të larta politike apo shoqërore. Luiza është së bashku me Angela Merkelin. Pas kordonit vjen ylli i madh që e kemi bërë për një sërë personalitetesh, përfshirë dy ambasadorë të rëndësishëm.

Sot e bëjmë këtë vlerësim për një ambassador të Shqipërisë që prejardhjen e ka në Kosovë dhe në Myzeqe. Floriani ka shkuar në Greqi që i vogël, Austri dhe Britani të Madhe. Prandaj për këtë ceremoni duhet të buzëqeshni. Jam mirënjohës Florianit, që e ndëron këtë godinë me praninë e tij, siç ishte Luiza. Sot nuk ka më protagonist të sportit të braktisur.

Top Channel