Një vit nga mbërritja e afganëve/ Në Shëngjin në pritje të largimit, kanë mbetur ende disa qindra

27/08/2022 12:03

Pas rënies së Kabulit në duart e Talebanëve, e disa ditë pritje e diskutime të gjata  me SHBA mesnatën  ne 27 Gushtit 2021 në Shqipëri mbërriti avioni i  parë me 121 afganë.

Qeveria shqiptare caktoi si koordinatore të këtij operacioni humanitar ministren e punëve të jashtme Olta Xhaçka. Në muaj në vazhdim numri afganëve të strehuar në Shqipëri shkoi 2400.  Fillimisht u akomoduan në qytetin Studenti në Tiranë dhe Durrës. Miqtë afganë në ditët e para të tyre në Shqipëri vlerësuan këtë ndihmë të Shqipërisë duke i mik-pritur.  Për ta Shqipëria ishte stacioni  i parë i   një jete të sigurtë,  larg mbretërimit të Talebanëve.

Shumica e afganëve që mbërritën në vendin tonë u strehuan në Shëngjin. Në pritje për të shkuar në Amerikën e madhe këtu në shëngjin gjetën një Amerikë të vogël me të cilën përballeshin çdo ditë.

Top Channel shkoi në Shëngjin  për tu takuar e kuptuar se çfarë është duke ndodhur, plot një vit nga mbërritja e tyre, Tashmë janë 700 afganë që kanë mbetur në Shqipëri në pritje për të shkuar në destinacionit  final, SHBA ose Kanada. Në  Shëngjin mes pushuesve afganët  i dallon vetëm nga veshja. Janë më të pakët në numër e vijojnë rutinën e përditshme, të pa shqetësuar nga muzika në sfond, zhurmat e fëmijëve që lahen në pishinë,  apo vajzat me bikini.

Vendi më i përshtatshëm për tu takuar me miqtë afganë është  ky mjedis i kthyer në bibliotekë dhe qendër koordinimi. Disa qëndrojnë përpara kompjuterëve, disa të tjerë lexojnë libra,  ndërsa këto vajza përpiqen të avancojnë me gjuhën angleze.  Abdul Sattar AMINI ka mbaruar studimet për mjekësi dhe prej 10 muajsh ndodhet në Shëngjin.

Unë punoj këtu në një klinikë mjekësore për afganët. Merrem me përkthime. Kjo është një gjë e mirë për vijimin e studimeve. Njerëzit në Shqipëri janë tejet të respektueshëm. Na kanë ndihmuar pafund. Nga klinika jonë çojmë shumë pacientë afganë në spitalin e Lezhës. Ata ndihmojnë njerëzit tanë pa u kursyer. Planet tona janë të shkojmë në SHBA. Jemi në proces shqyrtimi. Pres të shoh çdo ndodhë më pas. Është një pikëpyetje. Nuk e di“- tha ai për Top Channel.

E ndërsa 1700 afganë tashmë janë larguar për në SHBA, Top Channel ka mësuar se qeveria shqiptare është angazhuar të shqyrtojë kërkesat për azil të atyre të cilët nuk do të mund të kualifikohen për vizat amerikane P1, P2 dhe SIV.

Hasina është punësuar si koordinatore e kësaj qendrës së koordinimit. Ajo është  një inxhiniere softwerësh. Megjithëse është disa mijëra kilometra larg Afganistanit dhe e sigurtë, preferon të intervistohet duke mos ia treguar fytyrën. Frika lidhet me familjen e saj në Afganistan.

Unë e pëlqej shumë natyrën e Shqipërisë. Veçanërisht liqenin e Komanit. Lumi Shalës vendi im më i pëlqyer në botë. Kam gjetur këtu njerëz të mrekullueshëm. Ju hapët dyert për ne refugjatët afganë. Shpresoj që aplikimi ynë të pranohet nga SHBA. Nuk i  di detajet,  por ne do të shkojmë. Dua të avancoj me studimet e të punësohem. Kudo që ne do të shkojmë dhe sa herë do të çoj në mendje Shqipërinë do ta konsideroj shtëpinë time të dytë”.

Në pjesën fundore të librarisë qëndrojnë në mur vizatimet e fëmijëve  afganë. Shumica e tyre tashmë janë larguar. Por mesazhi që kanë lënë pas është se Shqipëria për ta u kthye në  atdheun e  dytë. Nëntë vjecarja Zainab Hamed sapo ka ardhur në bibliotekë e ka rrëmbyer lapsat . Në pak minuta vizaton një maçok dhe një kotele.  Zainab tregon se me këtë vizatim do të tregojë rëndësinë e familjes e të qëndruarit bashkë.

Me strehimin e afganëve në nevoje, edhe  njëherë tjetër Shqipëria dhe shqiptarët i dhanë kuptim  të fortë plot domethënie shprehjes se “shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA