Muçi regjistron shifrën speciale me Legian, e feston me triumfin në transfertë

27/08/2022 14:37

Pas barazimit me Gornik në javën e kaluar, këtë fundjavë, Legia e Varshavës u rikthye te suksesi teksa triumfoi në transfertë me rezultatin 0-1 ndaj skuadrës së Stal Mielec.

Një fitore e vuajtur me golin që erdhi vetëm në minutën e 74-të nga ana e Carlitos ndërsa në fushë nga minuta e parë për polakët ishte edhe Ernest Muçi.

Ish-futbollisti i Tiranës në këtë sezon ka besimin e plotë të trajnerit Kosta Runjaic ndërsa në shtatë ndeshjet e para të kampionatit ka shënuar dy gola dhe ka asistuar në dy të tjerë. Ndërkaq, sfida e së premtes ndaj Stal Mielec ishte e veçantë për lojtarin e kombërtares duke qenë se mbërriti në shifrën e 50 prezencave me gjigandët e futbollit polak.

Muçi u transferua te Legia në shkurtin e vitit 2021, teksa polakët për kartonin e sulmuesit paguan në atë kohë në drejtim të Tiranës plot 500.000 euro. Gjatë këtyre 50 ndeshjeve me Legian, Muçi ka shënuar tetë gola, asistuar në tre raste ndërsa është ndëshkuar edhe dy herë me karton të verdhë.

Në sezonin e fundit, Muçi vuajti jo pak nën urdhrat e trajnerit serb Alexandar Vukovic, megjithatë tashmë periudha e errët është hedhur pas krahëve dhe 21-vjeçari duket se ka rigjetur versionin e tij më të mirë duke u konsideruar me statusin e titullarit nga trajneri gjerman Ruanjic.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA