Dëshira e Robert Lewandowskit nuk u plotësua. “Nuk do të doja të përballesha me Bayernin në fazën e grupeve të Champions League, absolutisht jo! Kjo nuk duhet të ndodhë në fazën e grupeve. Është ende shumë herët. Për mua do të ishte një ndjenjë e çuditshme.
Dëshira ime është e thjeshtë: të lutëm, jo ndeshje kundër Bayernit. Si do të më prisnin tifozët gjermanë? Shpresoj në një mënyrë pozitive. Kam vetëm kujtime të bukura nga koha e kaluar te Bayerni, historia që patëm me këtë klub do të mbetet gjithmonë në zemrën time“, deklaroi disa ditë më parë sulmuesi i Barcelonës.
Bomberi polak i dha fund aventurës 8-vjeçare me kampionët e Gjermanisë dhe u transferua në “Camp Nou”. Barcelona është pjesë e grupit C në Champions bashkë me Bayern Munchen, Inter dhe Viktoria Plzen, short që ka entuziazmuar Thomas Muller, i cili i ngjiti pseudonimin LewanGOLski shokut të qindra betejave gjatë viteve të kaluara së bashku te Bayerni.
Në një postim në “Instagram”, sulmuesi gjerman ndihet i kënaqur që do të përballet me Lewen, me të cilin ka fituar gjithçka në Mynih. “Çfarë shorti i mrekullueshëm për të gjithë tifozët e futbollit. Zoti Lewangolski, shihemi së shpejti në Mynih“, shprehet 32-vjeçari bavarez.
Top Channel