Hungaria, dritë jeshile dy reaktorëve bërthamorë rusë: Do garantojmë siguri energjetike!

27/08/2022 13:15

Kompania shtetërore ruse Rosatom ka marrë dritën jeshile të Hungarisë për të ndërtuar në këtë vend dy reaktorë të rinj bërthamor.

Një lëvizje e tillë i hap rrugë zgjerimit të centralit bërthamor në Paks, që deri më tani kishte katër reaktorë. Projekti i ndërtimit të dy reaktorëve pritet të kushtojë rreth 12.4 miliardë dollarë dhe do të dyfishojë kapacitetet e centralit.

“Ky është një hap i madh dhe një arritje e rëndësishme. Tani mund të kalojmë nga faza e planifikimit, në atë të ndërtimit. Është një mënyrë për të garantuar sigurinë energjetike të Hungarisë në terma afatgjatë dhe për të mbrojtur vendin nga luhatjet e cmimit të energjisë”- tha Peter Szijjarto, ministër i jashtëm hungarez.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka mbajtur lidhje të ngushta me Moskën pavarësisht sanksioneve ndëshkuese që Bashkimi Europian ka vendosur ndaj Moskës pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës. Rusia do të financojë pjesën më të madhe të projektit përmes një kredie prej 10 miliardë dollarësh dhe Hungaria do të paguajë 2.5 miliardë dollarët e mbetur.

Ndërtesa në Paks, që është centrali i vetëm bërthamor i Hungarisë, ishte ndërtuar në vitet ’80 duke përdorur teknologji sovjetike. Szijjarto tha se dy rektorët e rinj do të funksionalizohen më 2030.BE-ja, që po përballet me çmime rekorde të elektricitetit dhe gazit natyror, së fundmi ka prezantuar një plan që inkurajon shtetet anëtare të heqin dorë nga energjia ruse.

Hungaria, që varet shumë nga importet e gazit natyror rus, ka siguruar nje përjashtim nga blloku me qëllim që të mbajë nivele të larta të importit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA