Shumë besojnë se demografia nuk është shumë e lidhur me ekonominë. Nëse jeni një prej tyre, ndoshta kur të përfundoni së lexuari këtë artikull, do të bindeni se sa thelbësore është demografia për ekonominë.
Le të fillojmë me PBB-në. PBB = Numri i njerëzve në fuqinë punëtore x produktiviteti.
Pra, nëse popullsia e vendeve të caktuara (Rusia, Kina, etj.) do të ulet me 30-40% në 30 vitet e ardhshme (siç parashikohet), dhe nëse nuk ndodh ndonjë mrekulli me produktivitetin, atëherë PBB-ja e tyre do të jetë një pjesë më e vogël e PBB-së globale.
Në Rusi, urbanizimi ndodhi disi më herët se në Kinë. Njerëzit priren të kenë më pak fëmijë në shtetet ku ata jetojnë në apartamente të mbipopulluara sesa në vendet ku fëmijët ofrojnë punë falas nëpër ferma. Në Kinë, kriza demografike u përshpejtua nga politika e qeverisë “vetëm një fëmijë”.
U vendosën ndëshkime të ashpra ndaj familjeve me më shumë se një fëmijë. Sipas llogaritjeve, janë vrarë deri në 200 milionë vajza të mitura, në mënyrë që familja të kishte një shans tjetër për të pasur një djalë. (Vini re që ka shumë më tepër meshkuj se femra në fund të piramidës kineze). Kjo pengon formimin e familjeve.
Në Rusi, kriza demografike tani po nxitet më tepër nga burrat që vdesin në luftën në Ukrainë dhe emigracioni masiv që nga fillimi i luftës.
Shtetet e Bashkuara gëzojnë demografi shumë më të shëndetshme: të rriturit e moshës 57-75 vjeç kanë më shumë fëmijë sesa në Rusi apo në Kinë.
Demografia nuk ka të bëjë vetëm me numrin e popullsisë, por edhe me ndarjen e popullsisë sipas grupmoshave. Gjatë viteve të ardhshme, në të gjithë botën, një numër i madh njerëzish të brezit baby-boomers (57-75 vjeç) do të kalojnë nga fuqia punëtore në pension. Megjithëse Shtetet e Bashkuara kanë problem me plakjen e popullsisë, kjo prirje është shumë më e theksuar në Kinë dhe në Rusi.
Duke pasur parasysh se personat e moshës 25-65 vjeç përbëjnë pjesën më të madhe të fuqisë punëtore, në mënyrë që niveli i lindjeve të dyfishohej, do të duheshin 25 vjet që të sapolindurit të hynin në fuqinë punëtore, për të mos përmendur pastaj arritjen e produktivitetit maksimal.
Nuk ka zgjidhje të menjëhershme. Disa mund të mendojnë se PBB-ja relative e Rusisë dhe e Kinës po arrin kulmin përballë Shteteve të Bashkuara.
PBB-ja e Rusisë (1.775 trilionë dollarë) është shumë më e vogël nga sa mendojnë shumica e njerëzve, më e vogël se ajo e Kanadasë (1.991 trilionë dollarë), sipas shifrave të vitit 2021. Rusia është një shtet me influencë në botë, falë stokut të armëve bërthamore dhe një pozicioni të rëndësishëm strategjik në lidhje me mallrat, veçanërisht naftën dhe gazin.
Por, ndërsa PBB-ja e Rusisë bie në terma relativë për shkak të demografisë, arsenali i saj bërthamor bëhet më i vjetruar, rezervat e energjisë varfërohen dhe bota largohet nga hidrokarburet, ndikimi i Rusisë në botë mund të bjerë. Fillimi i luftës në Ukrainë mund të shënojë “kulmin e Rusisë”.
Sipas mendimit tim, tani e tutje, vendi do t’i drejtohet rënies, dhe ndoshta kjo është arsyeja pse Putini mendon se tani është mundësia e fundit që ka Rusia për të shpalosur fuqinë e saj dhe për të ruajtur rëndësinë gjeopolitike.
Me Kinën, situata është shumë më delikate, duke pasur parasysh se popullsia e saj është sa trefishi i SHBA-së, PBB-ja tashmë është më e madhe se ajo e SHBA-së për nga barazia e fuqisë blerëse dhe ata janë një forcë shumë më e madhe se rusët në teknologji. Megjithatë, edhe në Kinë, një krizë demografike është e paracaktuar dhe e pakthyeshme.
Nëse popullsia e Kinës ulet me 30-40%, dhe popullsia e SHBA-së rritet me 15-20% deri në vitin 2050, ka të ngjarë që PBB-ja kineze në raport me SHBA-në, të tkurret gjithashtu.
Ku qëndron Europa Qendrore në lidhje me demografinë? Fatkeqësisht, siç tregojnë piramidat e mëposhtme të popullsisë, këto vende gjithashtu po u drejtohen krizave demografike.
Situata nuk duket aq e shëndetshme për Europën Qendrore – në fakt, gjatë dekadës së fundit, lindjet kanë qenë edhe më të pakta se në Rusi apo Kinë.
Deri në moshën 40-45 vjeç, rrogëtarët kryesisht i shpenzojnë të ardhurat e tyre (për fëmijët, blerjen e shtëpive, etj.), ndërsa pas kësaj moshe, u jepet përparësi kursimeve (p.sh. për të mbledhur para për pension). Shpenzimet konsumatore janë ato që nxisin rritjen e PBB-së.
Sigurisht, një nga aspektet më domethënëse të plakjes së popullsisë është rritja e raportit të të moshuarve ndaj punëtorëve. Të moshuarit duhet të ndihmohen (me pensione, kujdes mjekësor, etj.).
Në Europë, për shembull, raporti i pensionistëve ndaj punëtorëve, pritet të rritet në 71%, deri në vitin 2060.
Nuk ka një zgjidhje afatshkurtër. Nëse do të ndryshonim që sot politikat tatimore, disponueshmërinë e banesave, etj., në 25 vjet, do të shihnim përmirësim të raportit të pensionistëve ndaj punonjësve.
Zgjidhja tjetër do të ishte nxitja e gjithçkaje që promovon produktivitetin (automatizimi, etj.). Për shembull, Japonia, e cila po përballet me një problem të madh me plakjen e popullsisë, po përdor digjitalizimin për të kompensuar për mungesën e fuqisë punëtore.
Në artikullin e ardhshëm, do të thellohem më tepër në këtë temë dhe do të diskutoj se si demografia është thelbësore edhe për financimin: performanca e tregjeve financiare, kostoja e kapitalit, etj./ Monitor
Top Channel