​Arrihet marrëveshja për dokumentet/ Presidentja Osmani: Reciprocitet e barazi!

27/08/2022 19:11

Presidentja Vjosa Osmani, ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes së Kosovës me Serbinë për heqjen e dokumenteve për hyrje-dalje.

Në një postim në Facebook, ajo ka shkruar se liria e lëvizjes është themeli i shoqërive demokratike e i vlerave evropiane.

“Reciprocitet e barazi. Liria e lëvizjes është themeli i shoqërive demokratike e i vlerave evropiane. Republika e Kosovës çdo ditë e më shumë po kontribuon në paqe dhe stabilitet. Falënderime SHBA-së dhe BE-së për rolin e tyre mbështetës. Do të vazhdojmë pandalshëm angazhimin drejt njohjes reciproke”.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka bërë të ditur se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për dokumentet identifikuese

Përmes një statusi në rrjetin soacial “Twitter”, Borell njofton se tashmë kemi një marrëveshje. Nëpërmjet dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjeve dhe daljeve për shtetasit me ID të Kosovës, dhe Kosova u dakordua të mos i paraqesë ato për shtetasit me ID serbe, shkruan ai.

“Serbët e Kosovës, ashtu si të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm midis Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre. BE-ja sapo mori garanci nga kryeministri Kurti për këtë rezultat. Kjo është një zgjidhje evropiane! I përgëzojmë të dy liderët për këtë vendim dhe lidership”.

Top Channel