Gabriel Escobar përsëriti edhe në Beograd se qëllimi i vizitës së tij në Kosovë dhe Serbi këtë javë, është për të mbështetur përpjekjet e Bashkimit Evropian në gjetjen e zgjidhjes mes Kosovës dhe Serbisë për targat e makinave dhe dokumentet serbe.

Komentet e tij, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor i bëri në një konferencë për shtyp Ambasadën e SHBA-së në kryeqytetin serb, ku e pati një kërkesë publike për të dyja palët.

“Si Kosova, ashtu edhe Serbia duhet të zotohen se nuk do të ketë dhunë. Dialogu nuk është klinikisht i vdekur, unë nuk jam pjesë e dialogut, Shtetet e Bashkuara nuk janë pjesë e dialogut, por ne e mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Shpresoj që deri në fund të muajit ta gjejmë rrugën për të vazhduar. Në të njëjtën kohë, dialogu do të vazhdojë. Të gjitha marrëveshjet do të duhet të zbatohen, përfshirë formimin e Asociacionit. Ua kemi thënë liderëve të Kosovës dhe Serbisë se ne presim që çështja e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve ekzistuese të jetë në agjendën e  e takimit të radhës”.

Mbështetjen e SHBA-së për themelimin e Asociacionit, Escobar e pati përcjellë edhe pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bruksel ku nënvizoi megjithatë se ai duhej implementuar brenda ligjeve të Kosovës. Kurti dhe Vuçiç u takuan në kryeqytetin belg në 18 gusht, por përballja e tyre u mbyll pa ndonjë rezultat konkret.

Takimi u mbajt në vazhdën e tensionimit të situatës në veri të Kosovës në fund të korrikut, ku serbët lokalë vendosën barrikada në shenjë pakënaqësie ndaj hapit të Prishtinës zyrtare për zbatimin e vendimeve mbi targat dhe dokumentet serbe. Si pasojë e tensioneve, Qeveria e Kosovës e shtyu vënien në jetë të vendimit për në 1 shtator.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA