Debat për përgjimet në Greqi/ Kryeministri pranon se lideri i opozitës është përgjuar

26/08/2022 18:55

Gati gjashtë orë ka zgjatur seanca e parë e jashtëzakonshme me të cilën është hapur para kohe parlamenti, e zhvilluar në një situatë të tensionuar pas akuzave të partive opozitare ndaj kryeministrit grek, në lidhje me skandalin e përgjimeve të Shërbimit të Inteligjencës, pre e të cilave ishte kreu i socialistëve grekë, një gazetar investigativ, dhe siç është bërë me dije tashmë,edhe mijëra qytetarë.

Kreu i qeverisë Kyriakos Mitsotakis ka pranuar edhe njëherë se përgjimi telefonik i një lideri opozitar nga shërbimi inteligjent ishte i gabuar, ishte një operacion ligjor, por “politikisht i papranueshëm” dhe ka akuzuar partitë SYRIZA dhe PASOK për instrumentalizimin e një çështjeje reale duke krijuar një skenë gjoja të një krize politike.

“Ne iu përgjigjëm me shpejtësi kërkesës për hapjen e Parlamentit më herët, me shpresën se do të kishte zgjidhje për të mbuluar çdo boshllëk në funksionimin e strukturave shtetërore. Gabimet kolektive të të gjitha qeverive duhet të tejkalohen me pjekuri. Prandaj përgjimit ligjor të telefonit të Nikos Androulakis iu përgjigja me autokritikë. Kur u informova për këtë nuk hezitova ta pranoj se ishte gabim. Dhe u përgjigja duke zëvendësuar menjëherë me ndryshimin e zyrtarëve në Shërbimin Informativ Kombëtar dhe në sekretarinë e kryeministrisë”, tha Kyriakos Mitsotakis.

Skandali që është bërë temë edhe e medieve më të mëdha botërore, ka hapur një debat të madh në vend, mbi kryeministrin konservator, i cili e mori Shërbimin e Inteligjencës nën kontrollin e tij të drejtpërdrejtë kur erdhi në fuqi tre vjet më parë. Duke u kapur te fakti që Mitsotakis vuri në krye të Inteligjencës një njeri të besuar të tij dhe jo një profesionist, ndërsa përgjegjës ishte kreu i zyrës së tij, njëkohësisht nipi i vet, kreu i partisë më të madhe opozitare SYRIZA-s i bëri thirrje kryeministrit të zbulojë arsyen e përgjimit të telefonit të zotit Androulakis, eurodeputet dhe lider i partisë Pasok-Kinal.

Nuk e di nëse e keni kuptuar zoti Mitsotakis, por sot ju po vini në kuvendin kombëtar jo si ruajtës i moralit por për të mbajtur përgjegjësi për një shkelje të rëndë institucionale. Ju akuzoheni për cënim të funksionimit të shtetit demokratik dhe shfuqizim të shtetit ligjor. Përgjimet në kundërshtim me  nenet e Kushtetutës nuk janë thjesht një gabim politik, janë një  vepër penale, sidomos kur përgjimi cenon privatësinë e bisedave telefonike të një përfaqësuesi të zgjedhur të popullit grek, një deputeti apo një deputeti të Parlamentit Evropian”, u shpreh Alexis Tsipras, kreu i partisë opozitare Syriza.

Në vazhdim të debatit Mitsotakis që ka theksuar se në shumë vende të BE-së ka indikacione dhe prova që funksionon softueri i mbikqyrjes tek shërbimet e inteligjencës,  se shumë të tjerë jashtë vendit do të donin që Greqia të ishte e pambrojtur dhe e dobët, ka akuzuar kreun e Syrizës se edhe gjatë viteve të qeverisjes së tij kryheshin përgjime, fakt të cilin Aleksis Tsipras e ka mohuar dhe i ka bërë atij thirrje të japë dorëheqjen dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme.

Liderët e partive greke kanë dhënë propozime për përmirësimin e shërbimit të Inteligjencës, në bazë të ligjeve dhe të respektimit të të drejtave të individëve, por edhe në këtë aspekt ka pasur mendime të kundërta sa i përket faktit se kush dhe pse duhet përgjuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA