Dy oficerë të policisë bullgare u vranë mëngjesin e së enjtes teksa u përpoqën të ndalonin një autobus me emigrantë që kishte hyrë ilegalisht në vend, tha një zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendshme bullgare.
Incidenti ndodhi në orën 5 të mëngjesit në qytetin Burgas pasi autobusi refuzoi të ndalej në dy pika të njëpasnjëshme të policisë kufitare, u tha gazetarëve Stanimir Stanev.
Autobusi me targa turke po transportonte 47 emigrantë, kombësia e të cilëve nuk bëhet e ditur.
Autobusi kishte hyrë në një zonë të banuar kur oficerët e policisë me automjetin e tyre u ndalën përballë rrugës që ndodhej përpara tij. Autobusi goditi automjetin e policisë dhe më pas kaloi sipër tij para se të përplasej me një stacion autobusësh.
Dy efektivët që ndodheshin në makinë mbetën të vrarë në vendngjarje. Nuk raportohet për të lënduar të tjerë ndërsa autoritetet njoftuan se ka nisur hetimi për rastin.
Deri më tani, nuk është ngritur asnjë akuzë kundër shoferit, por prokurori i qarkut Georgi Chinev, i quajti veprimet e shoferit “të vetëdijshme dhe të qëllimshme”.
Bullgaria, një vend ballkanik me 7 milionë banorë, ndodhet në një prej rrugëve kryesore për emigrantët nga Lindja e Mesme dhe Afganistani për në Evropë. Vetëm një numër i vogël i tyre planifikojnë të qëndrojnë në anëtarin më të varfër të BE-së, porse e përdorin atë si një korridor transiti në rrugën e tyre drejt perëndimit./REL
Top Channel