Shefi i policisë së qarkut të qytetit Uvalde të Teksasit, u shkarkua për mënyrën se si menaxhoi ngjarjen ku mbetën të vrarë 19 fëmijë dhe dy mësues tre muaj më parë.
Bordi i Arsimit të distriktit votoi unanimisht për shkarkimin e Pete Arredondos, një vendim që u prit me duartrokitje nga familjarët e viktimave që ishin të pranishëm.
Ai ishte përballur me kritika të ashpra pas vrasjes masive të 24 majit në shkollën fillore Robb të Uvaldes. Oficerët e armatosur pritën në korridorin e shkollës për më shumë se një orë pa ndërhyrë, ndërsa atentatori vazhdonte të vriste nxënësit me armë zjarri.
Arredondo është përpjekur të mbrojë veprimet e tij, duke i thënë një komisioni të Legjislaturës së Teksasit se nuk e konsideronte veten personin përgjegjës për të marrë vendime gjatë incidentit në vendngjarje.
Prindërit e fëmijëve të vrarë dhe të plagosur nga të shtënat më vdekjeprurëse në shkollat amerikane në gati një dekadë, kishin kërkuar nga bordi i shkollës shkarkimin e Arredondos.
Ai u detyrua të jepte dorëheqjen nga vendi i tij në Këshillin Bashkiak të Uvaldes më 2 korrik. Tri javë më vonë, bordi ishte planifikuar të vendoste për fatin e Arredondo-s si shef i policisë së qarkut shkollor, por e shtyu takimin për shkak të “kërkesave të procesit” me kërkesë të avokatit të tij .
Sipas Departamentit të Sigurisë Publike të Teksasit 19 oficerë pritën për më shumë se një orë në një korridor jashtë klasave fqinje, ku personi i armatosur ishte izoluar me viktimat e tij, përpara se një ekip taktik i udhëhequr nga Patrulla Kufitare e SHBA-së më në fund të hynte dhe të vriste të dyshuarin.
Arredondo, thanë ata, zgjodhi të mos dërgonte oficerë për t’u përballur menjëherë me të dyshuarin, duke besuar se kërcënimi i menjëhershëm ndaj studentëve ishte neutralizuar pas të shtënave fillestare me armë zjarri në klasat e shkollës.
Arredondo, i cili mbikëqyrte një forcë policie prej gjashtë anëtarësh përpara se të pushohej nga puna, ka thënë se ai kurrë nuk e konsideronte veten komandant në incidentin në fjalë dhe se ai nuk e urdhëroi policinë të ndalonte sulmin ndaj pozicionit të të dyshuarit./REL
Top Channel