Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar në lidhje me deklaratat e ambasadës ruse në Tiranë, e cila tha se nuk ka marrë përgjigje nga institucionet shqiptare në lidhje me arrestimin e qytetarëve rusë, pas sulmit në uzinën e Gramshit.
Minsitria është shprehur se ka marrë notë verbale nga ambasada e Rusisë por mohon që kjo notë të ketë katër ditë që ka arritur në institucion por vetëm 2 ditë.
Ministria bën me dije se qytetarët rusë nuk kanë kërkuar të komunikojnë me ambasadën prandaj edhe nuk i është përcjellë asnjë informacion.
Gjithashtu burime nga MPJ bëjnë të ditur për Top Channel se Prokuroria e Elbasanit i ka dërguar informacion për çështjen e rusëve departamentit për marrëdhënie me jashtë në prokurorinë e përgjithshme e cila ia ka kaluar Ministrisë së jashtme dhe në bazë të Konventës së Vienes do të bëje hapat e mëtejshëm për të njoftuar ambasadën ruse.
Njoftimi i Ministrisë:
“Lidhur me pretendimet e ambasadës ruse në Tiranë se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme prej ditësh nuk i përgjigjet notës së kësaj ambasade, për informacion mbi ndalimin e shtetasve rusë për shkak të përpjekjeve për të hyrë me dhunë në zonë ushtarake, Sekretari i Përgjithshëm i MEPJ, z. Gazmend Turdiu deklaron me përgjegjësi se të gjitha veprimet e MEPJ lidhur me këtë çështje janë në pajtim të plotë me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore të vitit 1963, si dhe me konventat për mbrojtjen e të dhënave personale, ku Shqipëria është palë.
MEPJ ka marrë notë verbale nga ambasada e Rusisë, në përpjekje për të marrë informacion mbi dy shtetasit rusë të ndaluar në hyrjen e një objekti ushtarak. Por është absolutisht e pavërtetë që kjo notë ka katër ditë që është dërguar. Nota është hartuar në datën 22 gusht dhe ka hyrë në MEPJ në datën 23 gusht pasdite. Në mënyrë të menjëhershme MEPJ i është drejtuar me kërkesë për informacion autoriteteve kompetente. Theksojmë se në këtë pikë MEPJ është pikë ndërlidhëse mes kërkuesit dhe strukturave të tjera dhe nuk ka asnjë kopetencë tjetër për çështjen në fjalë.
Në kuadër të transparencës dhe të refuzimit të dezinformimit, MEPJ, është e gatshme të verë në dispozicion të mediave dhe të opinionit publik kopjen e notës, ku duket qartë numri dhe data e dërgimit, 22 gusht 2022.
Autoritetet shqiptare e kishin të pamundur të njoftonin ambasadën e Rusisë për ndalimin e këtyre dy shtetasve, sepse Konventa e Vjenës referuar më sipër, neni 36, pika 1.b e saj, përcakton se shteti pritës, në këtë rast Shqipëria, duhet të njoftojë për ndalimin e tyre përfaqësinë diplomatike të shtetit dërgues, në këtë rast Rusia, vetëm nëse të ndaluarit kërkojnë vetë të kontaktojnë ambasadën e tyre.
Dëshirojmë gjithashtu të theksojmë se ndalimi apo fillimi i një procesi penal ndaj një personi është e dhënë personale e mbrojtur nga konventa ndërkombëtare ku Shqipëria është palë. Edhe në këtë kuptim, dhënia ambasadës së Rusisë e informacionit të ndalimit të këtyre shtetasve, do të ishte shkelje e angazhimeve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë.”
Ambasada ruse në Tiranë iu është përgjigjur ditën e djeshme pyetjeve të gazetares së Top Channel Anila Hoxha, lidhur me incidentin e ndodhur të shtunën në Uzinën e Gramshit, ku u arrestuan dy shtetas të Rusisë dhe një ukrainas. Ambasada theksoi se nuk ka marrë asnjë informacion nga autoritetet zyrtare shqiptare lidhur me ndalimin e e shtetasve rusë të dyshuar për infiltrim më datë 20 gusht të këtij viti në Gramsh. Selia ruse thotë se i ka kërkuar Ministrisë së Jashtme shqiptare informacion për incidentin e ndodhur dhe akuzat e ngritura ndaj rusëve, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Top Channel