Britania ka ndërmarrë një skemë për rikthimin e shpejtë të shqiptarëve që kanë mbërritur dhe po mbërrijnë çdo ditë me gomone nga Franca drejt Anglisë.
Sipas Ministres së Brendshme britanike Priti Patel kjo skeme do fillojë javën e ardhshme, madje emigrantët mund të riatdhesohen brenda orësh nga momenti i mbërritjes në brigjet angleze.
Marrëveshja është arritur mes ministrave të Brendshëm të të dyja vendeve për dërgimin e avjonëve carter me emigrantë nga Anglia drejt Shqipërisë.
Ne baze të skemës së saponjoftur shqiptarët që po mbërrijnë së fundmi në Angli me gomone, kërkesat e tyre për azil do u shqyrtohen menjëherë dhe atyre që nuk do kenë të drejtë për të qëndruar në Britani do të largohen sa më shpejt që të jetë praktikisht e mundshme.
Disa prej tyre mund të riatdhesohen brenda orësh, njofton media, duke ju referuar një marrëveshje të arritur mes Ministres britanike të Punëve të Brendshme Piti Patel dhe homologut të saj shqiptar Bledi Çuçi.
Sipas kësaj skeme avionë carter do pronotohen nga Home Office për të riatdhesuar shqiptarët e ardhur me gomone të cilët mbërrijnë në shifrën e 6 mijë vetave deri më tani këtë vit. Oficerët e lartë të policisë shqiptare do të bashkëpunojnë përkrah zyrtarëve britanik te emigracionit.
Ministrja britanike e Punëve të Brendshme është nën presion të brendshëm për pasjen e suksesit në luftën kundër emigracionit ilegal pas impasit të fluturimeve për në Ruanda për shkak të rekurseve ligjore. Ndërkohë grupet pro-emigranteve mund të tentojnë të bllokojnë pjesë të skemës së riatdhesimit të shqiptarëve, potencialisht duke u bazuar në ligjet për të drejtat e njeriut.
Britania do të lançojë edhe një skemë ndërgjegjësimi dhe frenimi duke paralajmëruar shqiptarët të mos udhëtojnë ilegalisht drejt Britanisë. Në këto mesazhe, shqiptarëve u thuhet se mund të dënohen deri në katër vjet me burgim dhe deportimin nëse vini ilegalisht në Britani.
Reklamat sensibilizuese do jenë nëpër mediat sociale shqiptare gjatë rrugës së tyre nëpër veri të Francës dhe Belgjikës. Kërkesat për azil të shqiptarëve do konsiderohen të papranueshme në baze të ligjit të ri të emigracionit, pasi do konsiderohen se kanë kaluar fillimisht përmes një vendi të sigurt përpara se të kenë mbërritur në Britani.
Ministrja britanike e Punëve të Brendshme e konsideron të shkëlqyer bashkëpunimin me autoritetet shqiptare për riatdhesimin e shqiptarëve që mbërrijnë në Britani dhe historikisht qeveritë shqiptare kanë bashkëpunuar ngushtë me Britaninë për çështjet e emigracionit ilegal të shqiptarëve drejt Britanisë së Madhe.
Mbetet të shihet në muajt e ardhshme efikasiteti i këtij bashkëpunimi në luftën kundër emigracionit të paligjshëm të shqiptarëve drejt Britanisë, ku 60 përqind e të ardhurve janë nga Shqipëria.
Top Channel