Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut rezultojnë dy destinacionet kryesore të kthimeve të detyruara nga Gjermania në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022.
Gjatë periudhës në fjalë, autoritetet gjermane kanë dëbuar rreth 6. 200 të huaj nga Gjermania. Burime pranë qeverisë gjermane pohuan se destinacionet kryesore ishin Maqedonia e Veriut me mbi 450 të dëbuar dhe Shqipëria (mbi 400), pasuar nga Gjeorgjia (rreth 400).
Ndërsa në Kosovë Gjermania ka kthyer me detyrim 130 ish-azilkërkues. Dëbimet vijojnë të jenë më të shpeshta në kohën e verës. Avioni i fundit me destinacion Shqipërinë u ngrit nga Mynihu të mërkurën, sipas rrjetit Deportation Alarm. Rrjeti i përbërë nga disa shoqata pro refugjatësh, paralajmëron enkas dëbimet në faqen e tij të internetit, me shpresë se kështu të prekurit do të mund të ndërmarrin hapa për ta parandaluar.
Në vitin 2020 ishte Shqipëria destinacioni kryesor i kthimit të detyruar nga Gjermania. Grupi parlamentar E Majta e ka kritikuar ashpër praktikën e dëbimit, teksa opozita e majtë kritikon dhe shumën marramendëse që përdoret në disa raste. Vetëm për “aparatet fluturuese”, siç quhen avionët në dokumentin në fjalë, shteti gjerman ka paguar gjatë gjysmës së parë të vitit 580 mijë euro.
Koalicioni aktual mes SPD-së, të Gjelbërve dhe FDP-së e ka shpallur si prioritet çështjen e azilkërkuesve të refuzuar. Strategjia e re e qeverisë gjermane synon nga njëra anë shpërblimin e të integruarve, duke u dhënë edhe nga një leje qëndrimi të përkohshme, nga ana tjetër, dëbimin e menjëhershëm të ish-azilkërkuesve që kanë mashtruar për identitetin, që kanë falsifikuar dokumentet, apo kanë kryer vepra penale.
Top Channel