I ikur, por jo i harruar! 15 vjet pas vdekjes, Luciano Pavarotti është nderuar me një yll në shëtitoren e famës në Hollywood.
Vajza e tij, Cristina dhe mbesa Caterina morën pjesë në ceremoninë tejet emocionuese për to.
Cristina Pavarotti: Është një nder i madh për në, është një vlerësim mjaft i rëndësishëm. Një cmim i orientuar drejt fansave, sepse kushdo mund t`i afrohet dhe ta shohë. Babait tim i pëlqente shumë të rrethohej nga njerëzit.
E pyetur se cilën performancë të tij preferon, Cristina nuk e pati të lehtë të zgjidhte.
“Janë kaq shumë, nuk e di, nuk i ndaj dot. Nëse do të më pyesnit “a është ‘Nessun dorma’ e preferuara jote, do të përgjigjesha “jo”, sepse e kam dëgjuar kaq shumë herë! Ka edhe mjaft pjesë të tjera të bukura, është e vështirë të zgjedhësh“- shton Pavarotti.
Dirigjenti amerikan James Conlon, që punoi shpesh me tenorin e famshëm, nuk u mendua gjatë të jepte një përgjigje.
James Conlon, dirigjent: Kur më kujtohet performancë e tij tek “Tosca”, nuk e di, ende më bëhet mishi kokërr. Mbetet e pakapërcyeshme, edhe pas gjithë këtyre viteve.
Pavarotti është përshkruar si “tenori më i madhi të gjithë kohërave” , dhe jo më kot. Performancat e tij legjendare e kanë kthyer në një figurë të rrënjosur thelle në memorien kolektive si atë të një muzikanti të paarritshëm.
Edhe në regjistrin më të lartë, zëri i tij shquhej për pastërtinë e tonit, ndërsa koncertet, regjistrimet dhe paraqitjet e tij televizive – të cilat i dhanë atij mundësi të mjaftueshme për të shfaqur personalitetin e tij të shkëlqyeshëm – i dhuruan edhe ndjekës pafund. Pavarotti u shua shtatorin e 2007-tës në moshën 71-vjeçare pas një beteje me kancerin në pancreas.
Top Channel