Pavarësia e Ukrainës në Tiranë/ Veliaj dhe ambasadori vizita te ukrainasit e strehuar në vendin tonë

24/08/2022 15:19

Festën e flamurit të Ukrainës e kanë festuar edhe shtetasit ukrainas që për shkak të luftës ndodhen në vendin tonë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj së bashku me ambasadorin e Ukrainës në Tiranë, Volodimir Shkurov dhe konsullin e Shqipërisë në Ukrainë, Bledi Bajraktari, organizuan këtë feste në një nga mjediset ku janë strehuar një pjesë e refugjatëve, kryesisht nëna me fëmijë

Veliaj shpërndau dhurata dhe mjete shkollore për fëmijët ukrainas dhe theksoi se Tirana do ndihmojë në rindërtimin e shkollave, kopshteve dhe çerdheve pas luftës. Ai tha se lufta mund të shkatërrojë shumë gjëra, por jo dijen.

“Sapo jam kthyer nga Kievi dhe u ndjeva shumë i lumtur që jeta atje ka rifilluar; kanë nisur programet e qeverisë për rindërtimin, për t’u kthyer sa më shpejt në normalitet, deri në fitoren e luftës. Pas takimit me Presidentin Zelenski jam shumë i lumtur që qeveria jonë dhe Bashkia e Tiranës, do të përfshihen në procesin e rindërtimit të Ukrainës, duke i ndarë detyrat në qytete të ndryshme, ku fokusi ynë do të jetë kryesisht te shkollat, kopshtet dhe çerdhet. Ajo që ramë dakord me Presidentin e Ukrainës është se lufta (apo fatkeqësitë e ndryshme) mund të shkatërrojë pronën, një lagje, pasurinë, mund të prishë pallate, kopshte, shkolla, çerdhe, por ka diçka që lufta nuk e prish dot: dijen dhe njohuritë që kemi”- tha Veliaj.

Ambasadori i Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov falenderoi kryebashkiakun Veliaj për mbështetjen e dhënë për refugjatët ukrainas.

Ai shtoi se falë  kryetarit te bashkisë, edhe rruga ku  ndodhet  ndërtesa e Ambasadës, mban emrin rruga “Ukraina e Lirë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA