Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, gjatë një takimi me sekretarin e Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Nikolai Petrushev, tha në Moskë se “është i gabuar dhe i kotë” tentimi për izolimin e Rusisë, pasi ky shtet për nga territori është më i madhi në botë, u tha në njoftimin e MPB-së serbe.

Vulin tha se përjashtimi i Rusisë nga organizatat ndërkombëtare, veçanërisht nga organizatat sikurse Interpol-i “do të ishte i dëmshëm dhe se një akt i tillë do të linte hapësirë vetëm për forcimin dhe zhvillimin e mëtejmë të krimit”.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë ka zhvilluar vizitë dyditore në Moskë dhe më 22 gusht u takua me kryediplomatin rus, Sergei Lavrov. Pas takimit me Lavrovin, Vulin deklaroi se “Serbia është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe nuk është bërë pjesë e histerisë anti-ruse”.

Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Vladimir Bilçiq, shkroi më 23 gusht në Twitter se kur një anëtar i Qeverisë serbe dërgon mesazhe anti-BE gjatë vizitës zyrtare në Moskë, të gjithë në Evropë e shohin këtë gjë.

“Çdo përparim në rrugën evropiane të Serbisë duhet të bazohet në përkushtimin e sinqertë dhe konstant ndaj parimeve, vlerave dhe politikave evropiane”, shkroi ai.
Për shkak të nisjes së pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, Rusia është nën sanksione të BE-së, Shteteve të Bashkuara dhe shteteve të tjera perëndimore.

Serbia ka votuar për disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë pushtimin rus. Por, Serbia edhe pse është kandidate për anëtarësim në BE, refuzon që të harmonizojë politikat me bllokun evropian dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Qeveria e re pritet të formohet në Serbi dhe ende është e paqartë nëse Vulin do të jetë pjesë e ekzekutivit të ri.

Qatë takimit midis Vulinit dhe Petrushevit, sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme serbe, është thënë se vitin e kaluar “bashkëpunimi midis Ministrisë së Brendshme serbe dhe autoriteteve të sigurisë së Federatës Ruse është përmirësuar ndjeshëm”.

Dy bashkëbiseduesit kanë theksuar se forcat e sigurisë të të dyja shteteve janë të përkushtuara që së bashku të luftojnë të gjitha llojet e krimeve, veçanërisht në luftën kundër trafikimit të drogës, terrorizmit dhe krimeve kibernetike.

Sipas raportimeve, Petrushev ka thënë se pala ruse “e çmon Serbinë si një mike të besueshme dhe partnere në skenën ndërkombëtare”./Rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA