Kulmi i sezonit/ Autobusët e plazhit në Durrës të mbingarkuar dhe pa kushte, rrezikohet jeta e qytetarëve

23/08/2022 13:25

Në kulmin e sezonit, autobusat e plazhit në Durrës lëvizin të mbingarkuar me udhëtarë dhe pa kushte, duke e kthyer transportin publik në një aventurë të detyrueshme,  plot pasiguri dhe rrezik për shëndetin.  

Udhëtarët e linjave urbane janë jo vetëm pushuesit vendas dhe banorët e plazhit, por edhe turistë të huaj që lëvizin mes bregdetit ku pushojnë dhe qytetit që ofron të tjera tërheqje dhe aktivitete.

Udhëtimi Durrës-Plazh dhe anasjelltas kthehet në sfilitje. Udhëtarët shprehen të shqetësuar për autobusat që mbushen mbi kapacitet dhe i detyrojnë të qëndrojnë ngjeshur me njëri-tjetrin, pastrohen rrallë dhe ajri i kondicionuar në të shumtën nuk hapet për të ulur kostot dhe rritur fitimin e kompanive që ofrojnë këtë shërbim.

Trafiku i rënduar gjatë sezonit  e zgjat dhe më shumë kohë qëndrimin e udhëtarëve të çdo grupmoshe në këto kushte, ndërsa asnjë kontroll nuk ndërmerret nga inspektorët e Bashkisë Durrës për transportin publik për përmbushjen e kushteve të kontratave të lidhura me operatorët privatë.

Një pjesë e flotës së autobusave urbanë është e amortizuar dhe mbingarkesa me udhëtarë shton rrezikun për incidente dhe pasiguri për jetën e shëndetin e tyre. Rasti më i fundit ishte zjarri që shkrumboi një autobuz urban në lëvizje, muajin e kaluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA