Dështimi i arritjes së një marrëveshjeje javën e kaluar në Bruksel ka sjellë përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar të martën u takua me presidenten e Kosovës Vjosa Osmanin, por jo edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Escobar nuk është deklaruar për media para e as pas takimit me Osmanin.

I dërguari i SHBA në darkë ka ftuar edhe krerët e partive opozitare në vend.

E të pyetur për këtë takim nga Lidhja Demokratike e Kosovës thanë që për procesin e dialogut duhet të informoheshin nga kryeministri e jo ndërmjetësuesit.

Gabriel Escobar do t’i bashkohet të mërkurën në vizitë edhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak. Ai do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, Kryeministrin Albin Kurti, partitë opozitare dhe të enjten do të takojë në veri të vendit edhe Listën Serbe, për të udhëtuar pastaj në Beograd.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës të martën janë angazhuar me bisedime edhe në Beograd, ku ambasadori Christopher Hill ka takuar presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, me të cilin kanë biseduar për dialogun e situatën në rajon.

Vizita e të derguarve të SHBA dhe BE-së ka për qëllim arritjen e një marrveshjeje që synon evitimin e tensionit në veri të Kosovës pas vendimit për reciprocitet me targa dhe dokumente identifikuese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA