Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi dhe ai i Brendshëm Bledi Çuçi, dhanë detaje të tjera lidhur me incidentin e ndodhur në uzinën e Gramshit, ku u sulmuan dy ushtarë nga dy rusë dhe një ukrainas.

Në një deklaratë për mediat, ministri Pelshi tha se rasti po hetohet gjerësisht dhe nuk përjashtohet të jetë bërë për të tërhequr vëmendjen nga një ngjarje tjetër. Peleshi përmendi edhe sulmin kibernetik që ra pre Shqipëria rreth një muaj më parë.

Aktiviteti në Gramsh i fundit ka qenë vitin e kaluar për demontim. Ky nuk është aktivitet i vërtetë si ai  i para viteve 90’. Në 92’ ka pushuar aktivitetin. Aty nuk prodhohen më lëndë plasëse, por asgjësohen. Vazhdojnë të ruhen nga personeli por aty nuk ka aktivitet ushtarak të mirëfilltë. Kjo nuk e relativizon aspak ngjarjen e fundit në Gramsh. Aty kemi të bëjmë me një grup të huajsh që nuk kanë marrë leje sipas procedurës. Njëri prej tyre ka kapërcyer rrethimin dhe ka reaguar në mënyrë të dhunshme. Mund të ket pasur synim për të devijuar nga një skenar tjetër. Kemi agjencitë e inteligjencës, policinë e shtetit dhe shumë struktura të tjera që përpunojnë çdo informacion, pas agresionit rus në Ukrainë. Jetojmë në një rajon delikat dhe kompleks.   Nuk përbën kërcënim të sigurisë kombëtare por kemi ushtrim dhune ndaj personave me uniformë. Aty kishte vlera materiale të cilat ruhen. Në këtë rast kemi agresion dhe dhunë. Ngjarja është në hetim, mund të jetë tentativë për të fshehur skenar tjetër. Mos harrojmë që ramë pre e sulmit të të dhënave”, tha Peleshi.

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha se pavarësisht se Uzina e armëve në Gramsh është objekt i deklasifikuar dhe nuk ka asnjë sekret shtetëror, hetimet për spiunazh për dy rusët dhe ukrainasin do të shkojnë deri në fund.

Lidhur me hetimin dua tju them si Ministër I Brendshëm që ka një hetim dhe procedim dhe akuzë nga prokuroria e Elbasanit. Është një ngjarje që nuk e kemi nënvlerësuar po e hetojmë me gjithë faktet dhe ngjarjet. Sesi kanë tentuar të hynë, pajisjet që kishin dhe mbi të gjitha për shkak të agresionit, këta janë marrë nën hetim nga prokuroria e Elbasanit. Hetimi do bëhet i plotë. Çdo të dhënë tjetër tja lëmë hetimit ta zbërthejë deri në fund”– tha Çuçi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA