Rusët do të dalin para gjykatës/ Në ditët në vijim do të merret masa ndaj të dyshuarve për spiunazh

22/08/2022 16:14

Tre shtetasit rusë të arrestuar në Gramsh, me dyshimin se janë spiunë, pritet të dalin para gjykatës gjatë ditëve në vijim për t’u njohur me masën e sigurisë.

Të arrestuarve u caktohet avokat kryesisht nga gjykata. Aktualisht avokatët kanë marrë kontakte me ta dhe pritet që të martën ose të mërkurën të zhvillohet seanca gjyqësore.

Svetlana Timofoeva, Fiodor Mihailoviç dhe Mikhail Zorin dyshohet se kanë ardhur në Shqipëri për arsye spiunazhi dhe për këtë arsye autoritetet shqiptare kanë ngritur 3 akuza ndaj tyre “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim .

Në morinë e sendeve teknologjike që u janë sekuestruar të arrestuarve ku ka pasur video-regjistrues, dronë e pajisje të tjera filmimi hetuesit kanë gjetur foto dhe video të objekteve ushtarake dhe strategjike jo vetëm në Gramsh por edhe në vende të tjera të Shqipërisë.

Burime të sigurta pranë grupit të hetuesve i thanë Top Channel se prova më e fortë që ata kanë janë disa komunikime që u janë gjetur të arrestuarve mbi të cilat janë ngritur akuzat për spiunazh. Të gjitha gjetjet e autoriteteve shqiptare po konsultohen me ekspertë të NATO-s të cilët po asistojnë në këtë hetim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA