Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit bashkë me shërbimet sekrete janë duke hetuar disa pista në lidhje me tre rusët e kapur në uzinën ushtarake të Gramshit.

Një burim pranë këtyre hetimeve i thanë gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu se me të gjitha gjasat kemi të bëjmë me një skuadër të shërbimit sekret ushtarak rus GRU me mision të pastër spiunazhi në vendin tonë.

Të kamufluar si blogerë të tre rusët e marrë në pyetje dyshohet se janë të mirë-trajnuar për operacione spiunazhi.

Vendosja në fokus e uzinës të Gramshit nga GRU ruse, nuk është aspak e rastësishme.

Një burim nga ushtria shqiptare në kushtet e anonimatit i tha Top Channel se prej disa muajsh në këtë uzinë po zhvillohen teste për të prodhuar një fishek të kalibrit  5.56 mm.

Ky lloj municioni përdoret për automatikët M14 në përdorim nga forca tokësore e ushtrisë shqiptare dhe disa vende të NATO-S.

Ka dyshime të forta se synimi këtij grupi rus zbulimi me mision  spiunazhi,  synonte të zbulonte progresin e Shqipërisë pikërisht në prodhimin e fishekut 5.56 mm.

Prej kohës shërbimet inteligjente shqiptare kanë zbuluar se GRU ka edhe një degë aktive në Malin e Zi nga ku urdhërohen e drejtohen operacionet e spiunazhit brenda territorit të Shqipërisë.

Ndërsa agjencia ruse e inteligjencës SVR, e cila merret me misione zbulimi jashtë Rusisë përmes një stacioni sekret në Nish, kamufluar si Qendra Humanitare Serbo-ruse, është angazhuar në misione zbulimi në Shqipëri.

Republika Federale ruse ka 3 shërbime sekrete të cilat ndërvite kanë tentuar në forma të ndryshme për të siguruar informacione nga Shqipëria, një vend i NATO-s.

GRU është Shërbimi Sekret i ushtrisë ruse që vepron jashtë vendit.

FSB është Shërbimi Sekret rus me mision kundra zbulimi brenda Rusisë.

SVR është Shërbimi Sekret rus që ndërmerr operacione zbulimi jashtë territorit të Republikës Federale ruse.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA