Klubi nga Milano dëshiron të shtojë alternativat në difensivë dhe i përzgjedhuri i trajnerit Simone Inzaghi është Francesco Acerbi. Futbollisti ka dalë jashtë planëve të Lazios edhe pas konfliktit me tifozerinë bardhekaltër është në pritje të aventurës së radhës teksa agjenti Pastorello dhe Lotito kanë mbajtur një takim në Romë për të diskutuar të ardhmen.
Inter është interesuar për mbrojtësin dhe mund ta transferojë nëpërmjet formulës së huazimit me të drejtën e blerjes. Megjithatë, në pengesë janë shndërruar tifozët zikaltër të cilët kanë ndërmarrë një nismë kundër Acerbit. E gjitha lidhet me ndeshjen e fundit në kampionat mes Lazios dhe Milan, më datë 24 prill ku kuqezinjtë shënuan golin e fitores në minutën e 92-të me anë të Tonallit dhe ishte pikërisht Acerbi ai që tregoi pavendosmëri në atë episod, madje nuk ngurroi edhe të qeshte.
Në vijimin e kampionatit ai gol rezultoi shumë i rëndësishëm për fatet e kampionatit me të besuarit e trajnerit Stefano Pioli që festuan në fund në dëm të Inter. Në këtë formë, transferimi i Acerbit është komplikuar dhe zikaltërit aktualisht po mundohen të gjejnë një tjetër alternativë, ku opsioni më i dëshirueshëm është Chalobah i Chelseat ndërsa pista që të çon tek Akanji i Dortmund duket një “mision i pamundur” për shkak të 20 milionë eurove që pretendon Dortmund.