Arrestimi i rusëve pas sulmit në Gramsh, policia jep detaje: Përfundon hetimi, po ekzaminohen mjetet e sekuestruara (akuzat)

21/08/2022 22:19

Policia e Elbasanit jep një tjetër deklarate zyrtare për ruset e ndaluar ne Gramsh

Sipas policisë kanë përfunduar hetimet ndërsa vijojnë ekzaminimet e mjeteve që u gjetën në çantat e tyre si lap-top, dronë, celulare dhe mjete të tjera.

Akuzat e ngritura ndaj tyre janë “dhënie e informatave sekrete”, “goditje për shkak të detyrës” dhe “sigurimi i informacioneve e kryer ne bashkëpunim”

Elbasan

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në afërsi të rrethimit të Uzinës Ushtarake Çekin në Gramsh, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ju bëjmë me dije se:

Nga Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

-M. Z., 24 vjeç, S. T., 33 vjeçe, të dy shtetas rus dhe F. A., 25 vjeç, shtetas ukrainas, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim .

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti me të cilin lëviznin këta shtetas, pajisje kompjuterike laptop, dronë, aparate celulare dhe sende të tjera të cilat do të ekzaminohen, rezultatet e të cilave do të jenë pjesë e hetimit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Si ndodhi ngjarja?

Ministria e Mbrojtjes ka deklaruar se rreth orës 17:40 të ditës së djeshme (e shtunë 20 gusht), roja në Uzinën Ushtarake të Gramshit ka vënë re lëvizje të dyshimta rreth objektit. Menjëherë ai ka njoftuar përgjegjësin e rojeve se një person ka hyrë brenda territorit dhe ka tentuar të bëjë fotografi, më pas efektivët i kanë bërë thirrje të ndalojë, por ai ka nisur të largohet. Në momentin që personi është ndaluar iu është kundërpërgjigjur duke përdoruar spray neoparalizues ndaj dy ushtarakëve për të shpëtuar. Pas kapjes së personave, policia ka bërë shoqërimin e shtetasit rus, M. Z. 24 vjeç, në ambientet e Komisiaratit të Policisë Gramsh, për veprime të mëtejshme. Ndërkaq janë vërejtur edhe dy persona të tjerë jashtë rrethimit të Uzinës, një femër dhe një mashkull që shoqëronin këtë shtetas. Shërbimet e Policisë bënë të mundur që në afërsi të kësaj zonë të konstatojnë dhe të bllokojnë automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse S.T. 33 vjeçe dhe shtetasi ukrainas F. A., 25 vjeç, të cilët janë shoqëruar në komisariat. Të tre personat aktualisht janë të shoqëruar nga policia, e cila në bashkëpunim me institucionet e tjera po vijon hetimet mbi ngjarjen e ndodhur.

Top Channel