Protestë për shtëpitë në Durrës/ Liruan banesat që do shkatërrohen, por nuk kanë marrë bonusin e qerasë

20/08/2022 11:14

Banorë të zonës së ish-kënetës, shtëpitë e të cilëve do të prishen pasi në to kalon gjurma e rrugës që do të ndërtohet në funksion të lagjes së re që po ngrihet në Spitallë, kanë protestuar sot para bashkisë së Durrësit.

Prej tre muajsh ata kanë braktisur shtëpitë, por nuk kanë marrë ende bonusin e qirasë.

“Na kanë thënë që do të shpronësoheni dhe do të kaloni në bonus. Ka mbi 3 muaj që kemi dalë nga shtëpia me vendim të prishjes dhe administratori i komunës vetëm pardje ka sjellë letrat. Ku do të banjo unë?! Vetë i shtati me një rrogë. Si mund të paguaj unë?”, tha një banor.

Vendimi për prishjen e shtëpive të tyre erdhi menjëherë pas fillimit të punimeve për ndërtimin e lagjes së re në Spitallë për banorët e dëmtuar nga tërmeti, lagje ku do të strehohen dhe këto familje më pas. Me të marrë vendimin nga autoritetet vendore banorët kanë hequr prej tyre gjithçka për t’i hapur rrugë shembjes.

Deklarata të banorëve:

“E kam shkatërruar shtëpinë dhe nuk mund të kthehem më në atë banesë. Kam 6 fëmijë të vegjël. Një kunatë invalide, vetë me burrë dhe s’ma jep kush shtëpinë me qera. Jetoj si në një kotec se s’më jep kush shtëpi me qira. Kërkoj nga shteti që një orë e më parë të nxjerrë bonusin e qirasë. ”

“Nga shteti po dëmtohemi. Të paktën bonusin e qirasë që ta paguajmë se jemi të pamundur.

“Unë për vete do të rri para bashkisë, bashkë me fëmijët dhe invaliden do rri para bashkisë. Unë nuk mundem më.”

Vonesat në dhënien e bonusit të qirasë janë kthyer në shqetësim edhe për familjet e dëmtuara nga tërmeti në Durrës, ku mbi 3000 familje vazhdojnë ta përfitojnë atë, ndërsa janë në pritje të rindërtimit të banesave të tyre.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA