Lufta ka shkatërruar gjithçka/ Vullnetarët ndihmojnë banorët e Ukrainës të rregullojnë shtëpitë e tyre

19/08/2022 18:58

Pushtimi rus i Ukrainës ka shkaktuar një dëm të madh në rajonin e Çernihivit. Banorët e moshuar kanë humbur pothuajse gjithçka, përfshirë shtëpitë dhe pasuritë e tyre personale.

Por vullnetarët po bëjnë gjithçka për t’i ndihmuar këta njerëz të kthehen në jetën normale.

Anatoli Babenko sapo mbushi 79 vjeç. Megjithatë, këtë vit ai nuk do ta festojë ditëlindjen, sepse raketat ruse kanë shkatërruar shtëpinë e tij në rajonin e Çernihivit. Zoti Babenko, i cili ka punuar shumë gjatë gjithë jetës së tij, nuk e mendonte kurrë, se do të mbetej i pastrehë në këtë moshë. Për të, pjesa më tronditëse është se Rusia sulmoi vendin e tij.

“Unë jam një person i ndjeshëm. Emocionohem shumë kur flas për këtë. Gjëja më e dhimbshme për mua është se rusët na tradhtuan, por ne do të mbijetojmë!”, thotë ai.

Oksana Degtyarenko, një banore tjetër e Çernihivit, është ndër vullnetarët më të pasionuar. Postimet e saj në rrjetet sociale bënë të mundur blerjen e disa shtëpive për të rriturit. Zonja Degtyarenko i viziton ata pothuajse çdo javë, duke sjellë ushqime të freskëta, duke folur me ta dhe duke i mbështetur në çdo mënyrë që mundet.

“Premtova që do të ndihmoj derisa të mos kem më fuqi. Dhe të them të drejtën jam pranë kësaj pike. Gjithçka filloi pasi solla bukë të freskët dhe pashë se sa shumë kishin nevojë njerëzit për ndihmë. Shumë familje u larguan, por të moshuarit nuk donin të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe ata kanë nevojë për mbështetje”, thotë ajo.

82-vjeçarja Natalia Navozenko varet nga ushqimi që sjell zonja Degtyarenko sepse ajo nuk ka ku të gatuajë. Ushtria ruse e ka shkatërruar shtëpinë e saj.

“Shtëpia u dogj. Unë ika me vrap drejt shkurreve. Duart, këpucët dhe shalli mu dogjën kur e zgjidha lopën para se të largohesha. Dhe kur u ktheva më vonë atë natë, pashë se nuk kisha ku të flija”, thotë ajo.

Zonja Degtyarenko kujdeset për banorët brenda dhe jashtë Çernihivit, edhe pse shtëpia e saj ishte bombarduar. Në atë kohë, ajo u nis për në Ukrainën perëndimore me bashkëshortin dhe djalin 14-vjeçar. Ajo kishte frikë se rusët do ta qëllonin atë dhe familjen e saj.

“Ne u larguam kur kishte bombardime shumë të rënda në këtë zonë. Trupat ruse kishin hyrë tashmë në lagje”, thotë ajo.

Edhe biznesi i zonjës Degtyarenko u dëmtua nga lufta. Para fillimi të sulmit rus, ajo punonte si stiliste. Por më pas uji depërtoi në çatinë e studios së saj të dëmtuar nga lufta dhe shkatërroi të gjithë pëlhurën e saj. Zonja Degtyarenko thotë se ajo humbi qindra mijëra dollarë.

“Ky dyqan është më i shtrenjtë se shtëpia. E gjithë pëlhura është e dëmtuar dhe duhet të hidhet. Nuk e di se çfarë do të bëj tani.”

Ajo nuk mund të ringjallë biznesin e saj tani sepse është shumë e zënë me punë vullnetare. Ajo ka ngritur një qendër humanitare në shtëpinë e saj, ku vullnetarë të tjerë sjellin gjërat e nevojshme si ushqim për fëmijë, rroba, gota dhe pjata për të ndihmuar ata që kanë më së shumti nevojë./ Voice of America

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA