Sëmundjet e zemrës janë shpesh të trashëgueshme brez pas brezi dhe duket sikur janë përcaktuese të fatit të një njeriu.
Po kjo nuk është domosdoshmërish e vërtetë thonë ekspertët, sipas të cilëve një jetë e shëndetshme ku përfshihet edhe aktiviteti fizik mund të përgjysmojë rrezikun e sëmundjeve të zemrës, pavarësisht trashëgimisë genetike.
Një studim i kohëve të fundit, të cilit i referohet AgroWeb.org, analizoi të dhënat e 55,000 njerëzve, sëmundjet e trashëgueshme dhe stilin e jetesës ku përfshihej: duhanpirja, pesha, aktiviteti fizik dhe ushqyerja e shëndetshme.
Pjesëmarrësit u ndanë në katër grupe, në varësi të historikut familjar të sëmundjeve, stilit të jetesës e faktorëve të tjerë.
Studiuesit zbuluan se faktori genetik ka një ndikim të madh në shëndetin e njeriut.
Megjithatë, një stil i shëndetshëm jetese ka gjithashtu një impakt të fortë duke anashkaluar faktorin e lartpërmendur.
Të dhënat e studimit treguan se një stil i favorshëm jetese ul rrezikun 10 vjeçar të sëmundjeve të zemrës nga 10.7 përqind në 5.1 përqind.
Sipas tyre, një jetë e shëndetshme nënkupton më pak kalçifikim të arterieve koronare.
Sipas të dhënave të AgroWeb.org, rezultatet e analizave të katër grupeve konfirmuan idenë se pavarësisht bazës genetike, një jetë e shëndetshme mund të ulë ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve të zemrës.
Sipas ekspertëve, fakti që baza genetike dhe stili i jetesës luajnë rol vendimtar në shfaqjen e këtyre sëmundjeve është kuptimplotë.
Gjithësesi është inkurajues fakti që njeriu mund të ndërmarrë hapat e duhur për t’iu shmangur rrezikut të sëmundjeve të zemrës, edhe në rastet kur është i trashëgueshëm.
Ndjekja e hapave të mëposhtëm të listuara nga AgroWeb.org, mundet të ulë shumë ndikimin e disa prej faktorëve të rrezikut të sëmundjeve të zemrës:
Heqja dorë nga duhani
Ushqyerja e duhur dhe e shëndetshme
Ulja e kolesterolit
Ulja e tensionit të lartë të gjakut
Aktiviteti fizik
Ruajtja e peshës optimal trupore
Menaxhimi i diabetit
Ulja e nivelit të stresit
Kufizimi i sasisë së alkolit./AgroWeb.org
Top Channel