Dokumenti ekskluziv/ “Spiunëve ju ndalohet kandidimi”. Gati ligji i ri, “shkarkohen ose humbin mandatet”

18/08/2022 15:11

Shumica socialiste i ka gati ndryshimet e disa neneve në ligjin e dekriminalizimit përmes të cilave synohet ndalimi nga funksionet publike apo kandidimi për deputet i bashkëpunëtorëve  të ish sigurimit të shtetit.

Gazetari Top Channel Muhamed Veliu, ekskluzivisht  disponon draftin paraprak  me këto ndryshime i cili do të depozitohet në kuvend për tu diskutuar më pas në komisionet parlamentare në Shtator.

Në nenin 1 ku parashtrohet qëllimi dekriminalizimit, ndalimi mbajtjes të posteve publike  krahas personave  ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ose janë dënuar me vendim jo përfundimtar për kryerjen të krimeve shkohet edhe ky paragraf.

“Si dhe të personave që rezultojnë se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të ligjit nr.45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

I njëjti ndryshim  shtohet edhe në nenin dy të ligjit ku sanksionohet se ky ligj synon mbrojtjen dhe garantimin  i mirëfunksionimit demokratik të Kuvendit, organeve të qeverisjes vendore, institucioneve kushtetuese. Ndërsa ndryshimi Nenit katër parashikon  ndalimin  për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të mandatit zgjat gjatë gjithë jetës për ata persona me të shkuar kriminale apo bashkëpunëtor të ish sigurimit të shtetit.

Nëse deri më tani Neni 4 i delegonte  fuqi vepruese vetëm Prokurorisë së Përgjithshme për aspektin kriminal e njëjta fuqi i jepet edhe autoritetit të dosjeve.

“Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët provohen nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të ligjit nr.45/2015  “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Ndryshimet në këtë ligj krahas politikanëve prekim një rreth edhe më të gjerë zyrtarësh. Personat, për të cilët Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit provon se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit nuk mund të emërohen apo zgjidhen në funksionet publike si  në organe kushtetuese apo të krijuara me ligj,  gjyqtarë ose prokurorë, në postin e zëvendësministrit, në postin e prefektit, funksionarë politikë në kabinetet e drejtuesve të çdo institucioni kushtetues  Shërbimin Informativ Shtetëror dhe shërbime të tjera informative përfshi policinë e shtetit.

Por çfarë ndodh nëse zyrtarëve të sipërcituar u zbulohet dosja bashkëpunimit me ish sigurimin?

“Personave që janë duke ushtruar funksione të larta publike nga ato që përcaktohen në pikat 1 dhe 2 të këtij neni dhe provohen nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit u ndërpritet mandati dhe shkarkohen nga detyra për këtë shkak ligjor dhe sipas procedurës përkatëse të shkarkimit të përcaktuar nga neni 10 ose neni 13 i këtij ligji”.

Për zbatimin e këtij ligje krahas formularit të dekriminalizimit personat subjekt i këtij ligji sipas nenit 15/1  do të duhet të plotësojnë një formular të dytë,  kësaj here nëse kanë qenë apo jo bashkëpunëtor të ish sigurimit të shtetit.

“Funksionarët publikë që janë subjekt i këtij ligji, të cilët janë aktualisht në detyrë, kryejnë vetëdeklarimin dhe e depozitojnë pranë organit kompetent, sipas këtij ligji, brenda 2 muajve nga miratimi i formularit të vetë-deklarimit nga Kuvendi. Verifikimi për herë të parë bëhet në përputhje me rregullat dhe procedurat për verifikim, të përcaktuara në këtë ligj”.  

Nëse zyrtarët refuzojnë ta këtë ligji parashikon.

“Në rast refuzimi për të përmbushur detyrimet e parashikuara nga ky ligj lidhur me integritetin, personi trajtohet sikur të ketë rezultuar në një nga rrethanat që përbën kusht për ndalim e zgjedhjes apo emërimit të tij në funksionin publik. Ndaj tij zbatohet masa e parashikuara në pikën 3 të këtij neni”.

Ndryshimet ligjore të këtij ligji parashikojnë se “Nëse provohet se ekzistojnë rrethanat për ndalimin e zgjedhjes apo emërimit, zbatohen procedurat e nevojshme kushtetuese apo ligjore për mbarimin e mandatit apo shkarkimin nga detyra.

“Në rastet kur organet e ngarkuara nga Kushtetuta apo ligji për konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkarkimin nga detyra të funksionarit të lartë publik, nuk veprojnë brenda 10 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit, me kërkesë të 1/5 së deputetëve të Kuvendit, çështja i përcillet për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese”.

Do të jetë kjo gjykatë e cila vendos konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkarkimin nga detyra të funksionarit të lartë publik, kur plotësohen kushtet dhe rrethanat, sipas këtij ligji.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA