Kritika ndaj qeverisë dhe drejtësisë ka hedhur gazetari Thanos Koukakis, viktimë e përgjimeve në Greqi, pasi ka dëshmuar për më shumë se katër orë tek prokurori i Gjykatës së Lartë Isidoros Dogiakos.
Thanasis Koukakis: Kanë kaluar dy vjet që nga momenti kur unë denoncova pranë Autoritetit grek të Mbrojtjes së Privatësisë së Telekomunikacionit (ADAE) përgjimin tim. Më pas, drejtësia greke ka vepruar shumë ngadalë.
Thanos Koukakis është gazetari i dytë që ka denoncuar se përgjohet pas koleges Eliza Triantafyllou, e portalit Inside Story ,edhe ajo pre e sulmeve të ngjashme në telefonin celular. Siç shprehen ekspertët gazetaria investigative është shfaqur si një forcë e fuqishme gjatë skandalit të përgjimeve në Greqi, duke tronditur politikën greke .
Sa u përket përgjimeve jo vetëm të qytetarëve ,por sidomos të gazetarëve , Koukakis ka bërë edhe një deklaratë që ka shkaktuar reagime në opinionin publik grek.
Thanasis Koukakis: Sa u përket gazetarëve, do ta kishit shumë gabim po të besonit se unë jam objektivi i vetëm i përgjimit dhe të besoni se interesi i atyre që donin të monitoronin, qoftë nga Shërbimi i Inteligjencës, qoftë me software-in Predator, përfshinte vetëm një gazetar ekonomik dhe se nuk përfshinte kryeredaktorët tanë apo pronarët tanë mediatikë.
Sipas analistëve java e ardhshme konsiderohet një javë e vështirë për qeverinë Mitsotakis që kritikohet ashpër nga opozita për funskionin e shërbimeve të Inteligjencës, pasi fillojnë diskutimet në parlament në lidhje me skandalin e përgjimeve që ka shpërthyer ditët e fundit,ku një prej ¨viktimave¨ ishte eurodeputeti Nikos Androulakis, kreu i socialistëve të opozitës.
Çështja në fjalë është bërë objekt reportazhi në shumë media të huaja, organet e BE ,ndërkohë që një artikull i fundit i Agjensisë Franceze të Lajmeve AFP thekson se peizazhi mediatik i vendit karakterizohet nga bashkëpunimi i grupeve tradicionale mediatike me autoritetet publike në përputhje me interesat politike dhe financiare dhe se shpresa e vetme për një media të pavarur nga politika është gazetaria investigative që po rritet gjithnjë e më shumë.
Top Channel