Autoritetet greke kanë akuzuar ato turke se kanë sjellë në brigjet e lumit Evros që ndan dy vendet, një grup emigrantësh nga Turqia dhe më pas me anë të forcës i kanë detyruar të futen në territorin grek.

Grupi prej 38 emigrantësh, 22 burra, shtatë fëmijë dhe nëntë gra mes tyre një shtatzënë, janë gjetur të bllokuar në një ishull të vogël, përgjatë kufirit greko- turk, por vetëm dje janë zbuluar nga policia greke e kufirit pasi kishin kaluar lumin dhe janë dërguar në një prej qendrave të pritjes së emigrantëve.

Notis Mitarakis, Ministri grek i Emigracionit: Siç kanë deklaruar vetë ata , janë marrë nga qytetet e Turqisë prej policisë turke, janë dërguar në brigjet e lumit Evros dhe janë kërcënuar nga policia turke për të kaluar ilegalisht në BE. Bëhet fjalë për një detyrim me forcë që është krejtësisht i paligjshëm dhe është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Pamjet e publikuara nga Ministria e Mbrojtjes së Qytetarit të Greqisë tregojnë një gomone buzë lumit, si dhe emigrantët e shoqëruar nga policia greke. Ka ditë që ekzistenca e tyre është konfirmuar nga mediat e huaja dhe agjencitë e të drejtave të njeriut të cilat theksonin se ata ndodheshin aty prej disa javësh të bllokuar,ndërsa është ende e paqartë nëse ishulli ku ndodheshin i përkiste Turqisë, apo Greqisë dhe  nëse duhet të ndërhynin autoritetet greke apo turke.

Është bërë me dije gjithashtu  se një vajzë 5 vjeç ka humbur jetën në ishullin në fjalë, nga pickimi i akrepit.

Notis Mitarakis: Për fat të keq, duket se një vajzë pesëvjeçare ka humbur jetën në tokën turke. Ne do të koordinohemi me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar dhe Gjysmëhënën e Kuqe për të siguruar që trupi i kësaj vajze të sillet në Greqi për t’u varrosur me dinjitet. nga familja e saj.

Çështja në fjalë ka ngjallur reagime të shumta në Greqi, ku opozita ka akuzuar përsëri qeverinë se ka gënjyer dhe ka mohuar për shumë ditë ekzistencën e emigrantëve duke i lënë pa ndihmë ata në kufij dhe duke rrezikuar jetë njerëzish.

Vitet e fundit Greqia ka mohuar vazhdimisht se ka dëbuar me forcë refugjatë ose emigrantët në zonat e saj  kufitare tokësore apo detare .

Numri i emigrantëve që hyjnë nga Turqia në Greqi ka rënë ndjeshëm prej vitit 2015 gjatë krizës migratore, por  në tre muajt e fundit janë regjistruar mbi 4100 mbërritje , ose 113% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA