Jo vetëm në filma si ai “dy herë mat”, por talentet e vajzave shqiptare në shah po krenojnë Shqipërinë ndërkombëtarisht.
Kleana Shuqja ka mësuar të luajë shah që në moshën 4-vjeçare me ndihmën e babait të saj, e më pas prej 12 vitesh është stërvitur me profesionalizmin e profesorit Shkëlqim Çelës.
“Në fillim shkoja se më dukej qejf, por pastaj u përkushtova se më pëlqenin rezultatet…”, tha shahistja Kleana Shuqja.
“Kleana ka marr pjesë në 100 gara ndërkombëtare, 70% të tyre e ka mbuluar nga shpenzimet e familjes”, tha Shkëlqim Çela, profesor shahu.
Për 16-vjeçaren, 2022 është viti më i suksesshëm me 3 fitore të njëpasnjëshme, duke bërë të mundur që kupat të mos i përkasin vetëm Kleanës por edhe që emri i Shqipërisë të lartësohet në arenën ndërkombëtare.
“Çmimi i parë në qershor si kampione e femrave të Shqipërisë, më pas në korrik kampione e Europës në shahun e shpejtë në Greqi dhe së fundmi në olimpiadën botërore të shahut në INDI”, tha Kleana Shuqja, shahiste.
“Rezultatet ishin të pritshme sepse niveli i Kleanës ishte shumë i mirë.më ka bërë krenar”, tha Shkëlqim Çela, profesor shahu.
Por ëndrrat e shahistes së re janë edhe më të mëdha, teksa me durimin, përqëndrimin e ambicien karakteristikat e një lojtareje të fortë, duket se nuk do të jenë edhe aq të largëta.
“Synimi im është të marr titullin mjeshtre e madhe në shah dhe të jem një personalitet në këtë fushë”, u shpreh Kleana Shuqja.
Ndonëse është me periudhë pushimesh, ajo i kushton cdo ditë 4-5 orë shahut dhe një garë e fortë, tregon 16 vjecarja zgjat po aq..
“Mund të luajë 4-5 orë.. dy herë më ka shkuar dhe 6 orë lojë. Ndonëse mund të ketë momente që nuk jep më të mirën, nuk duhet ta ndalosh punën dhe ta humbësh besimin.. kështu do të fitosh”, u shpreh shahistja.
Kultura për shahun në Shqipëri, sipas profesorit Çela, ka ndryshuar në dhjetëvjeçarin e fundit, ku moshat e vogla po afrohen drejt këtij sporti ndaj ai mendon se është momenti që vec përkrahjes nga familjarët edhe shteti ti kushtojë më shumë vemendje.
“Nëse në kohën time mosha e zhvillimit të shahut ka qenë 10-12 vjeç, sot është ulur te 4-5-6 vjeçarët”, u shpreh profesori shahut.
Top Channel