Ndahet nga jeta ikona e RAIt, mesazhi që la pas vdekjes: Unë bëra pjesën time. Bëjeni edhe ju për Italinë

13/08/2022 13:35

Ndahet nga jeta, në moshën 93-vjecare, gazetari dhe moderatori, Piero Angela, imazhi historik i Rait.

Pasioni dhe ashpërsia. Dy fjalë që duken të kundërta, por që kanë qenë pjesë e personalitetit të Piero Angela-s, një ikone e ekranit, i cili fitoi edhe më shumë popullaritet me Quark, Superquark, i cili për vite me radhë bëri breza shikuesish të zbulojnë shkencën. Nga sekretet e dinosaurëve dhe trupit të njeriut, nga klima e çmendur te zbulimet e neuroshkencës.

Edhe pas vdekjes, Piero Angela, vijoi të mbetet unik. Ai kishte shkruar një mesazh për të gjithë ndjekësit dhe miqtë e tij, i cili u publikua në rrjetet sociale nga familjarët e tij.

Mesazhi: 

“Të dashur miq, më vjen keq që nuk jam më me ju pas 70 vitesh bashkë. Por edhe natyra ka ritmet e veta. Kanë qenë vite shumë stimuluese për mua që më kanë shtyrë të mësoj për botën dhe natyrën njerëzore.

Mbi të gjitha, pata fatin të takoj njerëz që më ndihmuan të arrij atë që çdo person do të donte të zbulonte. Falë shkencës dhe një metode që na lejon të përballemi me problemet në mënyrë racionale, por në të njëjtën kohë njerëzore.

Megjithë një sëmundje të gjatë arrita të përfundoj të gjitha programet dhe projektet e mia (madje edhe një kënaqësi të vogël: një disk xhaz në piano…). Por gjithashtu, gjashtëmbëdhjetë episode kushtuar shkollave për problemet mjedisore dhe energjetike.
Ishte një aventurë e jashtëzakonshme, e jetuar intensivisht dhe e mundësuar falë bashkëpunimit të një grupi të madh autorësh, bashkëpunëtorësh, teknikësh dhe shkencëtarësh.

Nga ana tjetër, u përpoqa të tregoja atë që mësova.
Të dashur miq, të gjithë, mendoj se kam bërë pjesën time. Mundohuni të bëni edhe tuajat për këtë vendin tonë të vështirë.

Një përqafim i madh
Piero Angela

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA