Zbardhet urdhri i kontrollit i FBI-së: Trump dyshime për spiunazh! Çfarë u gjet në shtëpinë e tij

12/08/2022 22:44

Urdhri që lejoi agjentët e FBI-së të kontrollonin resortin në pronësi të ish presidentit të SHBA-së, Donald Trump u bë publik këtë të premte nga një gjykatës federal në Florida.

Kjo erdhi pasi Departamenti Amerikani i Drejtësisë bëri kërkesën që të bëhej publik një urdhër kontrolli, pjesë e një hetimi penal.

Agjentët federalë amerikanë gjetën dosje të fshehta dhe dokumente të tjera  të klasifikuara nga shtëpia e ish-presidentit amerikan Donald Trump në Florida, sipas dokumentevetë gjykatës të publikuara të premten.

FBI-ja kontrolloi pronën e Trumpit të hënën, por deri më tani nuk ka dhënë detaje se çfarë po kërkonin apo çfarë u gjet.

Ligji federal në SHBA ndalon keqpërdorimin e materialeve të klasifikuar dhe përvetësimin apo mbajtjen e paautorizuar të dokumenteve ose materialeve të klasifikuara.

Dokumentet e gjykatës zbuluan se agjentët e FBI-së gjetën 11 dosje dokumentesh të klasifikuara, duke përfshirë disa të shënuara si ‘top sekret’. Një dosje ishte e shënuar si “top secret/SCI” – niveli më i lartë i klasifikimit.

Përmbajtja e atyre dokumenteve nuk u bë e ditur.

Agjentët sekuestruan rreth 20 kuti sendesh, si dhe sete fotografish, informacione për presidentin e Francës, dhënien e faljes ekzekutive për Roger Stone dhe një shënim të shkruar me dorë.

Sipas dokumenteve, Trump po hetohet për përfshirje në spiunazh.

Ndërsa ishte në pushtet, Trump rriti dënimet për shkeljen e këtyre ligjeve, duke i bërë shkeljet e dënueshme deri në pesë vjet burg.

Të enjten, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së Merrick Garland tha se Departamenti i Drejtësisë i kishte kërkuar një gjykate të Floridës që të bënte publike dokumentet, duke përmendur “interesin e konsiderueshëm publik mbi këtë çështje”.

Trump pohoi në një postim në faqen e tij të internetit “Truth Social” të premten se asnjë nga dokumentet e sekuestruara nuk ishte i klasifikuar.

“E para, ishin të gjitha të deklasifikuara. E dyta ata nuk kishin nevojë të sekuestronin asgjë. Ata mund ta merrnin kur të donin pa luajtur politikisht dhe pa u futur në Mar-a-Lago. Ishin të sigurta në magazinë, me një bravë shtesë sipas kërkesës së tyre”, ka shkruar ai.

Që nga kontrolli i së hënës, Garland dhe departamenti i tij janë përballur me një reagim të ashpër nga Partia Republikane, si dhe nga Trump e mbështetësit e tij.

Pas kontrollit, një person i armatosur humbi jetën në një shkëmbim zjarri pasi u përpoq të futej brenda zyrës së FBI-së në Cincinnati.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA