Reshje shiu dhe breshër përfshinë kryeqytetin këtë të premte, shoqëruar me erë të fortë dhe mjegull duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe duke krijuar në këtë mënyrë trafik të rënduar.
Gusht e gunë.. Megjithatë, Tirana përjetoi dy kohë, në disa zona kryesisht rurale qielli ishte kristal i pastër e nuk ra pikë shiu, ndërsa në qendër të kryeqytetit një stuhi e fortë me breshër e reshje të dendura për disa minuta shkaktoi edhe dëme në thyerjen e pemëve, por për fat nuk raportohet për njerëz të lënduar.
Këtu në rrethrrotulimin e Astrit kjo degë e thyer e pemës pranë tregut të fruta perimeve rrezikon jo vetëm konsumatorët por edhe kalimtarët që jetojnë në këtë zonë.
“Duhet ndërhyrë se paraqet rrezik”.
Pas ditëve të nxehta të verës, ndryshimi i motit ishte surprizë për banorët e Tiranës por jo për sinoptikanët. Ashtu siç kishin parashikuar, Tirana pësoi ulje temperaturash dhe rrebeshe afatshkurtra, të cilat do të vijojnë edhe gjatë fundjavës duke prishur planet e atyre që kishin menduar të shkonin në plazh.
Top Channel