Shamitë në shkollat e Kosovës, Kurti deklarohet pro mbajtjes së tyre: Nxënësit duhet të jenë të lirë

12/08/2022 11:36

Kryeministri Albin Kurti është shprehur pro një çështjeje që ka ngjallur jo pak debat në Kosovë, e që është ndryshimi i udhëzimit administrativ që ndalon veshjet fetare në institucionet arsimore.

Një fushatë ka nisur në rrjete sociale nga disa persona që kërkojnë që shamia të lejohet në shkolla.

Në lidhje me këtë Kurti është shprehur se qëndrimi i tij personal është që duhet të lejohen prej moshës 16-vjeçare, por u shtoi se Ministria e Arsimit është duke ndjekur me vëmendje çështjen e ngritur. Ai paralajmëroi edhe Projektligjin për liritë fetare.

Kurti: Të lejohen shamitë në shkolla

“Qëndrimin tim, e kam thënë para shumë viteve, e qëndrimi është që nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementëve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve, duhet të jenë të lirë, por gjithashtu kam thënë se mosha 16-vjeçare është pragu dhe në moshën 16-vjeçare ne e shohim si prag për shumë gjëra të cilat kanë ndodhur por edhe të cilat do të duhej të ndodhin”, deklaroi Kurti.

Ai këtu u ndal edhe të kërkesa e tij e hershme që të ulet pragu u moshës për të drejtën e votës, nga 18-vjeç sa është aktualisht, në 16-vjeç.

Kurti: 16-vjeçarët të mund të votojnë

“Meqë mund të marrësh kartën e identitetit në moshën 16-vjeçare, nëse sistemi e mundëson që me një procedurë edhe të lidhesh kurorë në moshën 16-vjeçare, meqë mosha mesatare është 30-vjeç e 2/3-tat janë nën 35-vjeç besojmë që në të ardhmen e afërt nuk do të ishte keq që edhe mosha e votimit të qytetarëve të ishte 16-vjeç, qysh është në disa vende në botë, përfshirë edhe disa lande në Republikën Federale të Gjermanisë. Ne e shohim moshën 16-vjeçare si moshë e pragut për shumë gjëra e në këtë aspekt edhe për bartjen e shamisë dhe ky nuk është qëndrim i ri, e kemi thënë edhe shumë vite më parë”, u shpreh Kurti.

Këto deklarata kryeministri Kurti i bëri pas vizitës në Doganën e Kosovës.

Top Channel